Aksident i rëndë në fshatin Ponoshec, dy të vdekur

Një aksident i rëndë komunikacioni ka ndodhur sonte në orët e mbrëmjes, në fshatin Ponoshec të Gjakovës, ku si pasojë e përplasjes mes dy veturave, dy persona kanë humbur jetën, ndërkohë që dy persona të tjerë janë lënduar, njëri prej tyre rëndë.

Aksidentin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Rreth orës 18:00 në fshatin Ponoshec ka ndodhur aksident trafiku me fatalitet. Vozitësi i automjetit me targa të Shqipërisë, i cili si pasojë e humbjes së kontrollit mbi automjetin e tij, del në shiritin tjetër duke goditur veturën qe ishte duke lëvizur në shiritin e tij”, ka bërë të ditur për IndeksOnline, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj.

Ai ka thënë se në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe autoambulanca, ndërkohë që ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e 2 personave.

“Pasagjeri i tretë ka pësuar lëndime serioze, ndërsa vozitësi i veturës ka pësuar lëndime të lehta trupore. Në vendngjarje ka dalë dhe kryeprokurori. Vazhdon shikimi i vendit të ngjarjes”, ka thënë Gjurkaj.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë