Fatmir Limaj vazhdon takimet me qytetarë në Mitrovicë e Vushtrri, kërkon përgjegjësi shtetërore për çështjen e Hagës
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vazhduar ciklin e takimeve me strukturat partiake, bashkëpunëtorët dhe aktivistët, kësaj radhe në Mitrovicë dhe Vushtrri, në kuadër të bashkëbisedimeve me temën “Kosova pas aktgjykimit të 16 shtatorit”.
Limaj ka bërë të ditur se gjatë këtyre takimeve është diskutuar për zhvillimet aktuale politike, mbrojtjen e dinjitetit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasojat e aktgjykimit të 16 shtatorit në Hagë, si dhe për gjendjen ekonomike, sigurinë dhe problemet sociale.
Sipas tij, shqetësim i veçantë është shprehur lidhur me trajtimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe kthimin e tij në Kuvendin e Kosovës.
“Për këto çështje qytetarët dhe shoqëria jonë kërkojnë qartësi, përgjegjësi dhe qëndrime të vendosura”, ka deklaruar Limaj.
Ai ka vlerësuar se pasojat e aktgjykimit të 16 shtatorit nuk duhet të trajtohen vetëm si çështje e individëve që po gjykohen, duke pretenduar se ato prekin edhe dinjitetin e luftës çlirimtare dhe themelet e shtetësisë së Kosovës.
Limaj ka kërkuar debat serioz dhe përgjegjësi institucionale, duke theksuar se këto çështje duhet të trajtohen përtej interesave të ngushta politike.
“Institucionet duhet të jenë në nivel të detyrës dhe të veprojnë në interes të shtetit dhe qytetarëve”, ka theksuar ai.
Kreu i Nismës ka paralajmëruar se takime të ngjashme do të organizohen edhe në qytete të tjera të Kosovës, me qëllim dëgjimin e shqetësimeve dhe pritjeve të qytetarëve.
“Kosovës i duhet përgjegjësi, vendosmëri dhe veprim. Kosova është atdheu ynë, amaneti ynë dhe përgjegjësia jonë ndaj brezave që vijnë”, ka përfunduar Limaj.



