“Uniforma është e shenjtë, biri im”/ Babai zv/komandant në Drenas, djali Florenti diplomon polic!

Një moment i veçantë krenarie dhe emocionesh për familjen Geci. Florent Geci ka diplomuar dje në Policinë e Kosovës, duke veshur për herë të parë uniformën policore dhe duke ndjekur kështu rrugën e babait të tij, Florim Gecit, i cili ushtron detyrën e zëvendëskomandantit të Stacionit Policor në Drenas, transmeton portali DrenicaOnline.

Me rastin e diplomimit të djalit të tij, Florim Geci ka ndarë një mesazh emocionues, duke i kujtuar se uniforma policore nuk është thjesht një veshje, por simbol i sakrificës, përgjegjësisë dhe shërbimit ndaj atdheut.

“Uniforma do të thotë shumë, biri im. Uniforma është dëshmi e gjakut të derdhur ndër breza, është sakrifica e gjeneratave, është vuajtje e gjak, persekutim, dëbim e vrasje ndër shekuj”, ka shkruar Geci.

Ai ka theksuar se uniforma duhet të mbahet gjithmonë me nder, dinjitet, përkushtim dhe krenari.

“Uniforma nuk është vetëm veshje e thjeshtë, por është diçka e veçantë, e shenjtë, diçka që duhet të mbahet me nder e dinjitet, me përkushtim e krenari”, ka shtuar ai.

Në fund, zëvendëskomandanti i Policisë në Drenas i ka uruar suksese të birit dhe kolegëve të tij të rinj.

“Uroj që ti e shumë kolegë tuaj t’i shërbeni vendit, qytetarit e mbi të gjitha Kosovës. Urime e suksese në të ardhmen”, ka përfunduar Florim Geci.

Kështu, babë e bir tashmë ndajnë të njëjtën uniformë dhe mision: shërbimin ndaj qytetarëve dhe Republikës së Kosovës./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë
✕