Juventusi hyn në garë për Vedat Muriqin

Pas Manchester Unitedit dhe Tottenhamit, edhe gjiganti italian ka shprehur interesim për sulmuesin kosovar, i cili po shfaq formë të jashtëzakonshme me Fenerbahçen dhe Përfaqësuesen e Kosovës

Vedat Muriqi është bërë objektiv i klubeve të mëdha evropiane, shkruan Gazeta Express.

Futbollisti kosovar po vazhdon të shfaq formë të jashtëzakonshme dhe kjo është vërejtur nga gjigantët e futbollit evropian.

Sipas mediave turke, interesim për sulmuesin prizrenas ka shfaqur edhe Juventusi.

“Bianconeri” iu shtohen ekipeve të interesuara për përfaqësuesin kosovar, pasi paraprakisht atë e kanë vëzhguar Tottenhami dhe Manchester Unitedi në ndeshjen ndërmjet Anglisë dhe Kosovës.

Sipas mediumit turk “Fanatik”, një ekip skautësh të Juventusit do ta përcjellin nga afër në stadium lojën e Vedatit në derbin turk kundër Galatasarayt dhe më pas do t’ia përcjellin informatat trajnerit Maurizio Sarri.

Gjatë 5 ndeshjeve të zhvilluara në Superligën turke këtë sezon, Muriqi ka realizuar 3 gola dhe e ka dhuruar një asistim.

Ai realizoi gol në fitoren e fundit ndaj Ankaragucu.

Ndërsa, me Përfaqësuesen e Kosovës ai ka realizuar 3 gola dhe ka dhuruar 2 asistime në pesë ndeshjet e “Dardanëve” në kualifikimet e Euro 2020.

Muriqi kishte shkëlqyer në fanellën e Rizesporit sezonin e kaluar, ndërsa atë formë po e vazhdon edhe tash.

Ai shënoi gol kundër Republikës Çeke dhe ndaj Anglisë, ku dhuroi edhe dy asistime për Valon Berishën.

Fenerbahçe thuhet se e ka vendosur klauzolën e shkëputjes së kontratës së futbollistit kosovar me një vlerë prej 50 milionë eurosh.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë