Liverpooli bën mrekullinë dhe arrin finalen e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve

Liverpooli e ka bërë mrekullinë duke e mundur 4:0 Barcelonën për të kaluar në finale të Ligës së Kampionëve për herë të dytë radhazi pas rezultatit të përgjithshëm 4:3 pas dy ndeshjeve në gjysmëfinale.

Dy gola nga Divock Origi dhe Georginio Wijnaldum i mjaftuan Liverpoolit të fitojë 4:0 të martën në Anfield dhe ta përmbysë humbjen 3:0 në ndeshjen e parë në Camp Nou dhe ta arrijë finalen e Madridit, përkundër se i munguan dy sulmuesit kryesorë, Mohamed Salah dhe Roberto Firmino, raporton Gazeta Express.

Skuadra e Jurgen Klopp e nisi furishëm takimin, pak a shumë aty ku e la në Camp Nou para një jave, dhe shënoi golin e parë, atë që nisi rikthimin e jashtëzakonshëm dhe të ëndërruar. Divock Origi, i cili luajti vetëm për shkak të mungesave në skuadër, realizoi në minutën e shtatë.

Barcelona hoqi të zitë e ullirit në çerekun e parë nga presioni i madh i vendasve. Megjithatë, gjërat kanë mundur të merrnin tjetër rrjedh sikur Lionel Messi të shënonte në minutën e 16-të, por u pengua nga Matip.

Edhe Philippe Coutinho lëshoi një mundësi të realizojë ndaj ish-klubit, por goditje e tij e priti Alisson Becker.

Rastin më të mirë deri atëherë e lëshoi Jordi Alba në sekondat e fundit të lojës kur u shërbye nga Messi. Por, përsëri Alisson tregoi klasin duke bërë një dalje të përkryer për ta ndalur.

Pjesa e dytë ishte kulminante për pesë herë kampionin e Evropës. Mesfushori holandez Wijnaldum erdhi nga stoli për t’u bërë hero në fillim të pjesës së dytë.

Ai shënoi dy herë brenda dy minutave, 54’ dhe 56’, duke treguar se Liverpooli e pati njëmend rikthimin.

Origi e kompletoi rikthimin e jashtëzakonshëm dhjetë minuta para fundit, duke shfrytëzuar një harkim fshehurazi të Alexander-Arnold.

Kjo është hera e dytë radhazi që Liverpooli arrin në finale, pas vitit të kaluar kur u mposht nga Real Madridi.

Për Barcelonën, kjo është hera e dytë radhazi që eliminohet edhe pse kishte një epërsi prej tri golave, pasi vitin e kaluar Roma e kishte eliminuar në çerekfinale.

Liverpooli e pret fituesin e gjysmëfinales së dytë mes Ajax dhe Tottenham në finalen e 1 qershorit në Wanda Metropolitano.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë