Krasniqi: Nuk ka kalkulime, luftojmë për të dy trofetë

Klubi i Feronikelit, pas tashmë 30 xhirove të zhvilluara në Superligën e Kosovës, mban kreun e tabelës me 71 pikë të grumbulluara.

Në anën tjetër, klubi nga Drenasi, është edhe në finale të Kupës së Kosovës dhe në një situatë të tillë, është në luftë për dy trofetë kryesor në futbollin vendas.

Zyrtari për media i klubit, Erlind Krasniqi, ka komentuar situatën brenda Feronikelit, duke folur për faqen zyrtare, feronikelifc.com

Krasniqi tha që përkundër faktit që klubi është në situatë të mirë, ata nuk do ta sakrifikojnë asnjërin trofe për tjetrin, duke thënë që do të luftojnë deri në fund për ti sjellë dy trofetë në Drenas.

“Jemi në pozitë të mirë, kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund, në anën tjetër jemi në finale të Kupës së Kosovës. Këto ishin objektivat e klubit dhe jemi në rrugë të mirë për ti realizuar”, tha fillimisht Krasniqi.

“Padyshim që do të luftojmë deri në fund për të dy trofetë, nuk ka kalkulime aty. Kemi një strukturë brenda klubit që na lejon të vazhdojmë garën për të gjithë trofetë e mundshëm, si nga ana financiare ashtu edhe nga aspekti organizativ”, vazhdoi ai.

“Klubi është i bashkuar rreth një presidenti që na ofron të gjitha mundësitë dhe me një trajner e staf që e bëjnë punën deri në detaje, prandaj edhe nuk ka arsye për ngecje. Presidenti, Ramaj, ka dhënë shumë për klubin dhe duam të ia kthejmë këtë me trofe. E gjithë kjo, padyshim që nuk arrihet pa tifozët tanë që shpresojmë që do të jenë edhe më të zjarrtë në këto tri ‘finale’ të mbetura të Superligës dhe gjithashtu pa futbollistët që po japin maksimumin në secilin takim”, përfundoi Erlind Krasniqi.

Feronikeli do të takohet me Dritën në Drenas, të shtunën me fillim prej ojës 16:00, kurse më pas do të takohet edhe me Llapin e Prishtinën.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë