Fadil Kajtazi: Serbia s’e ka më fuqinë e bombës po të fishekzjarrit, lufta e re do të ishte fatale për të

Pse Serbia veç një brigadë e ka në veri e pse pesë të tjera e rrethojnë Kosovën? Cilat janë kapacitetet ushtarake serbe? Cilat janë gjasat e Serbisë në rast të një lufte me Kosovën? Cili do të ishte roli i Shqipërisë?

Çfarë mund të bënte Kroacia? Dhe, cili do të ishte rezultati përfundimtar për shqiptarët e cili për serbët? Për të gjitha dilema, në një bisedë me Telegrafin jep përgjigje eksperti i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi.

Thëna e vjetër latine “përgatitem për luftë për të ruajtur paqen”, ka ruajtur aktualitetin te popujt e qytetëruar. Ajo është baza e krijimit të konceptit filozofik për ngritjen e kapaciteteve, në funksion të ruajtjes të lirisë dhe sovranitetit nga kërcënimet eventuale.

Dy dekada pas përfundimit të asaj që njihej si Luftë e Ftohë, si kërcënim sovjetik, Perëndimi ndodhet para një sfide tjetër. Por, Kajtazi mendon se kërcënimi i tanishëm rus nuk ka përmasat e atij sovjetik.

“Sot rusëve u mungon komponenti ideologjik dhe shpërndarja në hapësirë të madhe gjeografike. Ky kërcënim është manovër për nevoja të brendshme të oligarkisë ruse, të udhëhequr nga presidenti i tyre Vladimir Putin. Këto bëhen për të tërhequr vëmendjen e opinionit rus nga kriza ekonomike që ka kapluar vendin. Ndërkaq, po të shikohet aspekti gjeografik – përmes të cilit Rusia tenton ta kërcënojë Perëndimin – ai është reduktuar dukshëm: në Evropë ka mbetur vetëm Serbia”, thotë Kajtazi.

Sa i përket përdorimit të Serbisë nga ana e Rusisë – si levë për ta destabilizuar Evropën – kjo nuk është diçka e re.

“Për shkak të problemeve ekonomike, Rusia me 1914 e shfrytëzoi Serbinë për të filluar Luftën e Parë Botërore. Por, as atëherë nuk arriti t’i shmangte këto probleme. Ato i shtyu deri me 1917, kur nisi lufta qytetare ruse me të cilën u përmbys monarkia”, thekson ai, duke shtuar se në rast se rusët pretendojnë të avancojnë kërcënimin përmes Serbisë, sikurse me 1914, luftë në shkallë botërore nuk do të ketë, pos përshpejtim të fundit të sundimit oligarkik të Putinit.

Sipas Kajtazit, janë shumë faktorë të cilët e izolojnë shpërthimin serb. Në radhë të parë është fuqia ekonomike serbe dhe rrjedhimisht ushtarake që lë shumë për të dëshiruar.

“Simbolikisht, shpërthimi serb nuk ka fuqinë e një bombe, por të një fishekzjarri. Sidoqoftë, mendësia primitive serbe, e cytur nga Kisha Ortodokse dhe elitat politike serbe, janë në pritje dhe rrinë të jargosura për të intervenuar ushtarakisht kundër Kosovës – në rast të krijimit nga Rusia të një katrahure të madhe. Por, ky intervenim nuk do të ndodhë ad-hok. Ky intervenim paraprakisht do të përpiqet të sigurojë legalitet ndërkombëtar. Këtë Serbia do të mundohet ta fitojë duke zhvilluar luftë speciale, sipas metodës ‘duke shkaktuar dhe menaxhuar kriza’ – të ngjashme me ato të vitit 2004”, thotë Kajtazi për Telegrafin.

Sipas tij, Serbia mban në gatishmëri ushtrinë e saj dhe kjo shihet nga organizimi i bërë me organikën e gjendjes së gatishmërisë luftarake: prej gjashtë brigadave të këmbësorisë sa ka tani aktive Ushtria serbe, vetëm njëra është e vendosur në pjesën veriore të Serbisë (Brigada e I-rë, selia e komandës në Novi Sad), kurse pesë të tjerat e rrethojnë Kosovën.

Kajtazi thotë se pesë brigadat tjera të Serbisë janë të vendosura si më poshtë:

– Brigade Speciale: komanda në Panqevë – njësitë në Panqevë dhe Nish (tri batalione dhe një çetë)

– Brigada e II-të: brigadë e përzier e këmbësorisë, e njësive të blinduara, e artilerisë klasike dhe raketore, dhe e njësive të mbrojtjes kundër ajrore – komanda e brigadës në Kralevë, njësitë e shpërndara (batalionet) në Novi Pazarë, Valevë, Rashkë. Në përbërje të brigadës janë pesë batalione dhe dy regjimente;

– Brigada e III-të: brigadë e përziere e këmbësorisë, e njësive të blinduara, e artilerisë klasike dhe raketore, dhe e njësive të mbrojtjes kundërajrore. Komanda e stacionuar në Nish, njësitë në Prokuple, Zajecar, Kurshumli. Në përbërje të brigadës janë 11 batalione;

– Brigada e IV-të: brigadë e përziere e këmbësorisë, e njësive të blinduara, e artilerisë klasike dhe raketore, dhe e njësive të mbrojtjes kundërajrore. Komanda e brigadës është e stacionuar në Vrajë, njësitë në Vrajë, Leskoc dhe Bujanoc. Në përbërje janë 11 batalione.

“Përpos kësaj, po të shikohen edhe armatimi me të cilin janë të pajisura këto brigada, shihet se ai është ofensiv, ku përfshihen batalionet tankiste të pajisura me tankun M-84; regjimente me artileri klasike të pajisura me obus 122 mm me larghedhje 17 km; obus 150 mm me larghedhje 28 km; artileri raketore 128 mm me larghedhje 20 km; artileri raketore 262 mm me larghedhje 50 km. Në funksion të rritjes së kapaciteteve sulmuese drejt Kosovës, këtë vit brigadat e mekanizuara serbe pritet të marrin donacion nga Rusia edhe 32 tanke T-72B3 (i ngjashëm me M-84) dhe gjashtë aeroplan MiG-29”, thotë Kajtazi.

Sipas tij, të gjitha këto dëshmojnë se Ushtria serbe është në pritje të një urdhri që në formën e një “blitzkriegut” të sulet drejt Kosovës.

Por, cilat janë gjasat?

Për Kajtazin janë minimale gjasat që Ushtria serbe të marshojë drejt Kosovës janë minimale, ngase është dëshmuar historikisht se Ushtria Serbe, në luftë më ushtri të rregullta, gjithmonë është ndarë e humbur.

“Së dyti, në raport me shqiptarët ajo ka bërë terror kundër civilëve të paarmatosur; kundër fëmijëve, grave dhe pleqve; kundër grupeve të vogla të rezistencës të cilët kanë qenë dobët të armatosur dhe pa eksperiencë ushtarake. Në betejë me formacione të rregullta shqiptare, të udhëhequra nga ushtarakë profesionistë, Ushtria serbe është ndeshur dy herë: në Betejën e Loxhës dhe në Betejën e Koshares të cilat turpshëm i ka humbur. Tani Kosova ka një bërthamë të strukturuar ushtarake, të përgatitur me kapacitete të mjaftueshme për të udhëhequr trupa në misione deri në nivelin e brigadës”, thotë ai për Telegrafin.

Në anën tjetër, është edhe Shqipëria e cila do të jetë e detyruar të jetë pjesë aktive e luftës eventuale me Serbinë. Ndërkaq, hyrja e Shqipërisë në këtë luftë do të thotë hyrje e një vendi të NATO-së.

“Së katërti, ndonëse Forca e Sigurisë se Kosovës është e armatosur dobët, mundësitë për t’u armatosur ligjërisht janë të shumta. Fillimisht duhet kujtuar dekretin e presidentit George W. Bush për lejim të Kosovës që të blejë armë në SHBA. Kjo krijon favore që FSK të armatoset me sisteme mobile, të cilat lehtësisht asgjësojnë tanket dhe aeroplanët serbë. Gjithashtu, pa marrë parasysh furnizimin e Serbisë me aeroplanë nga Rusia, ata nuk janë të destinuar për luftime ajër-tokë. Kapacitetet e tyre në këtë drejtim janë të kufizuara. Serbet për luftë ajër-tokë llogarisin në aeroplanin J-22 Orao. Gjithashtu edhe ky aeroplan ka kapacitete të kufizuar, ngase nuk disponon sisteme të qitjes nga distancat mbi 5000 metra. Mundësia e ndaljes së tij është e madhe, ngase Shqipëria ka sasi të mjaftueshme të raketave mobile vetëdirigjuese – infra të kuqe 9K32 Strela-2 (SA-7 emërtimi NATO). Prandaj, nëse këto raketa janë prezentë në teatrin e luftës, këta aeroplanë do të jenë jashtë funksionit (dëshmi e luftës në Kroaci), aq më tepër kur për shkak të gjendjes ekonomike vetëm shtatë nga ta kanë qenë aktivë viteve të fundit. Prezenca e raketave mobile vetedirigjuese infra të kuqe do të linte jashtë përdorimit edhe flotën e varfër të helikopterëve gjuajtës serb – Gazela”, thotë Kajtazi.

Në anën tjetër, derisa të jetë prezenca e vetëm një ushtari të NATO-së në Kosovë, ai shton se gjasat janë të vogla që Ushtria serbe të lëvizë nga kazermat.

“Nëse NATO ka vullnet për të minimizuar dhe parandaluar kërcënimet ruse përmes levës së saj, Serbisë – pa u futur vet në aksion të drejtpërdrejt – mundësitë i ka të shumta dhe të favorshme. Njëra prej tyre është Kroacia, e cila ka ekonomi të konsoliduar dhe ushtri të pajisur mirë. Ndërkaq, nga praktika, nëse Ushtrisë serbe nuk i përparojnë tanket e nuk ka mbështetje ajrore, ajo nuk ecën dot asnjë hap. Artileria klasike dhe ajo raketore serbe ka rreze veprimi për të goditur pjesën më të madhe të territorit të Kosovës, ku do të pësonin pjesët urbane, por vështirë se do të gjendet ndonjë politikan apo oficer serb i cili do të lëshohet në aventura të tilla kur kihet parasysh përvoja e Gjykatës së Hagës”, shprehet Kajtazi për Telegrafin.

Si arsye të pestë që Serbia nuk do të mësyjë Kosovën është se një lëvizje e tyre ushtarake do të jetë kundër interesave të serbëve kosovarë, pasi gjendja pas sulmimit do të prishte Planin Atisaari e do të hiqte privilegjet e tyre dhe do të ndryshonte pozitën e kishës serbe.

“Prandaj, planifikimet eventuale serbe për ndonjë aventurë të re ushtarake në Ballkan, mund të jenë të kobshme për Serbinë dhe mund ta reduktojnë shtetin në atë që njihej si Pashallë i Beogradit. Në anën tjetër, mbrojtja më e mirë e sovranitetit të Kosovës bëhet nëse përgatitem për luftë për të ruajtur paqen. Kjo bëhet nëse ruhet stabiliteti i brendshëm politik, luftohen krimi dhe korrupsioni, bëhet zhvillimi ekonomik i vendit e lufta kundër ekstremizmit fetar. Këto janë bazat që ne të integrohemi në BE dhe NATO dhe të kemi miqësi të përhershme me SHBA përmes të cilave Kosova krijon mekanizma të nevojshëm frenues dhe mbrojtës”, thotë Kajtazi.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë