Egzona Tërdevci në mbështetje të Filloreta Bujupit: E denjë për ta përfaqësuar Drenasin dhe Kosovën në Kuvend
Kryetarja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas, Egzona Tërdevci, ka shprehur mbështetjen e saj për kandidaten për deputete Filloreta Bujupi, e cila në zgjedhjet e 7 qershorit garon për herë të parë nga lista e VV-së me numrin 101.
Tërdevci ka vlerësuar angazhimin shumëvjeçar të Bujupit në politikën lokale, duke kujtuar se kanë shërbyer së bashku si asambleiste në Kuvendin Komunal të Drenasit, ku, sipas saj, Filloreta ka dëshmuar vendosmëri, konsistencë dhe opozitarizëm të vërtetë.
Ajo ka theksuar edhe rolin e Bujupit si kryetare e Grave për VETËVENDOSJE! në Drenas, duke e vlerësuar kontributin e saj në organizimin dhe fuqizimin e vajzave dhe grave brenda subjektit politik.
“Përtej angazhimit politik, Filloreta është një shoqe, nënë dhe grua e jashtëzakonshme. Të gjitha këto cilësi e bëjnë të denjë për të na përfaqësuar në Kuvendin e Republikës”, ka deklaruar Tërdevci.
Filloreta Bujupi është pjesë e listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! me numrin 101, ndërsa partia garon me numrin 116 dhe Albin Kurti mban numrin 1 në listë.

