Përkujtohen dëshmorët Mehdi e Sylejman Bytyqi dhe martirët e Gllanasellës – 26 vjet nga sakrifica për liri

Në 26-vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve Mehdi dhe Sylejman Bytyqi dhe në përkujtim të martirëve të masakruar në Gllanasellë nga forcat serbe, u mbajtën homazhe përkujtimore me pjesëmarrje të gjerë.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, së bashku me bashkëpunëtorë, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të shumtë, bënë homazhe dhe vendosën kurora lulesh në nderim të bijve të kombit që sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës. Ceremonitë përkujtimore nisën në ora 11:00 pranë varrezave të dëshmorëve Mehdi dhe Sylejman Bytyqi, në Arllat, ndërsa në ora 12:00, homazhet vazhduan në Gllanasellë, vendi i një prej masakrave më të rënda të kryera nga forcat serbe gjatë luftës së vitit 1999.

Kryetari Lladrovci, ndër të tjera, tha se sakrifica e dëshmorëve dhe martirëve është themeli mbi të cilin është ndërtuar liria jonë, dhe se përkujtimi i tyre është detyrë e përhershme për institucionet dhe qytetarët.

Në përmbyllje të aktiviteteve të kësaj dite, sot në ora 20:00 do të zhvillohet finalja e turnirit tradicional sportiv që mban emrin e dëshmorëve Mehdi dhe Sylejman Bytyqi, si simbol i vazhdimësisë dhe nderimit për të kaluarën.

Lavdi përjetë dëshmorëve Mehdi e Sylejman Bytyqi!
Lavdi martirëve të Gllanasellës!
Lavdi të gjithë atyre që ranë për lirinë tonë!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë