Hektor Beqiri bën thirrje për pjesëmarrje në protestën e së dielës në Zarë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
Atdhetari Hektor Beqiri, i cili që nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së u ka qëndruar pranë në Hagë me përkrahje të vazhdueshme, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën që do të mbahet të dielën, më 5 korrik, në Zarë të Kroacisë.
Përmes një statusi në Facebook, Beqiri ka ftuar bashkatdhetarët të bashkohen në këtë tubim për të shprehur solidaritet dhe për të kërkuar një proces të drejtë e të paanshëm për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Ai ka theksuar se ka momente kur heshtja nuk është zgjedhje dhe se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet, duke shtuar se drejtësia duhet të jetë e bazuar në fakte dhe paanshmëri.
Protesta do të mbahet më 5 korrik (e diel), duke filluar nga ora 18:00, në qytetin e Zarës (Zadar), në lokacionin Tribanjska Ul. (Skate Park).
Beqiri u ka bërë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve që të marrin pjesë, me mesazhin: “Për drejtësi. Për dinjitet. Për të vërtetën.”

