Nga Drenasi në SHBA, Xixëllonjë Nebihu po shkëlqen në studimet e doktoraturës
Një tjetër histori suksesi vjen nga Drenasi. Xixëllonjë Nebihu po vazhdon të shënojë arritje të rëndësishme akademike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ndodhet në vitin e tretë të studimeve të doktoraturës (PhD).
Ajo ka bërë të ditur se muajin e kaluar i është publikuar një punim shkencor, ndërsa pas përfundimit me sukses të provimeve kualifikuese është zyrtarisht kandidate për doktoratë (PhD Candidate).
Nebihu thekson se tani ndodhet në fazën e disertacionit, duke shtuar se gjatë këtij rrugëtimi ka arritur të ruajë mesataren maksimale 4.0, të ligjërojë në universitet dhe të marrë pjesë në konferenca të shumta shkencore në vende të ndryshme.
“Ky rrugëtim ka qenë dhe do të jetë me sfida, mirëpo jam duke e shijuar pavarësisht çdo gjëje. Nga Drenasi në SHBA, ku ëndrrat bëhen realitet”, ka shkruar ajo në reagimin e saj.


