Kusari-Lila për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare: Deputetët ishin në përvjetorin e Masakrës së Abrisë

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se si shkak i mungesës së disa deputetëve është pamundësuar kalimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare në seancën e djeshme.

Kusari-Lila beson se të njëjtat mund të kalojnë në seancat e ardhshme, pasi ka marrë zotimin e partive opozitare. Ajo ka thënë se dakordimi i opozitës në mbledhjen e Kryesisë ka qenë që të njëjtat të votohen edhe nga ta.

“Ne kemi diskutuar edhe në mbledhjen e Kryesisë të Kuvendit ku kam kërkuar edhe njëherë deklarimin e përfaqësuesve të grupeve parlamentare të opozitës, që a janë edhe në parimin se do të mbështesin marrëveshjet ndërkombëtare, dhe ata kanë deklaruar pozitivisht se janë aty. Ndërsa sot grupi më i madh parlamentar i opozitës PDK-ja deklaroi se ishin dy angazhime tjera jashtë Prishtinës deputetët e këtij grupi dhe rrjedhimisht numri maksimal i deputetëve për marrëveshjet ndërkombëtare nuk e kalonte 72 deputetë që morën pjesë që është mangu një numër i konsiderueshëm i votave për të qenë marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuar nga Kuvendi, por duhet të diskutuar ende më tutje natyrisht që në ditët kur caktohet seanca për votime të sigurohemi që nuk ka ndonjë ngjarje tjetër paralele që ndodh jashtë Prishtinës, edhe pse e konsideroj që për deputetin primare duhet të jetë detyra në Kuvendin e Kosovës, natyrisht pastaj angazhimet e tjera bëhet qoftë në orët e mesditës ose pas përfundimit t seancës”, ka thënë Kusari-Lila.

Si shkak i mungesës së deputetëve të opozitës, Kusari-Lila e ka ndërlidh me përvjetorin e Masakrës së Abrisë së Epërme.

“Është e vërtetë që ka pasur ngjarje jashtë Prishtinës e cila njëra lidhet me një përvjetor të një masakre në Drenicë dhe në të dyja është shfrytëzuar kjo kohë, kemi mundur që të dakordohemi që ndoshta ta shtyjmë fillimin e seancës, sikur të kishim ditë më herët ne e kemi pasur vullnetin që në vend se në ora 10 seanca të fillojë në ora 11-12 pasi të përfundohen nderimet për të rënët. Besoj që jemi të hapur dhe natyrisht mirëkuptueshëm për kompromise, e kuptojmë rëndësinë e pjesëmarrjes dhe shënimin e ngjarjeve por nuk e kemi ditur deri në momentin që kemi ardhur në seancë që nuk do të jenë aty, për shkak se në të njëjtë kohë kanë qenë diku tjetër”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Shefja e GP të VV-së deklaron se të njëjtat marrëveshje do të kalojnë dhe se nuk janë rrëzuar tërësisht.

“Jo kthehen natyrisht marrëveshjet nuk janë të refuzuara ose të rrëzuara marrëveshjet vetëm nuk ka pasur kuorumin e mjaftueshëm që rrjedhimisht i bie që në një seancë tjetër ato mund të bëhen pjesë e agjendës”, u shpreh ajo./EO

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë