Buja kritikon institucionet dhe PDK-në: Historia do ta mbajë mend kush veproi kur duhej

Ish-kryetari i Lipjanit dhe ish-deputeti i PDK-së, Shukri Buja, ka kritikuar institucionet e Kosovës dhe partinë e tij për, siç thotë ai, mungesën e veprimeve pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Buja tha se mori pjesë si në protestën e organizuar nga OVL e UÇK-së, ashtu edhe në protestën e mbrëmjes “Jo në emrin tim”, duke vlerësuar lart pjesëmarrjen e qytetarëve, të rinjve dhe mërgimtarëve.

“Isha pjesëmarrës në protestën e organizuar nga OVL të UÇK-së, po ashtu edhe në protestën e organizuar në mbrëmje, ‘Jo në emrin tim’, dhe me bindje e them se rinia është e mrekullueshme, qytetarët të jashtëzakonshëm, ndërsa mërgimtarët janë duke u treguar në nivel maksimal!”, deklaroi Buja.

Ai kërkoi mobilizim përballë asaj që e cilësoi si padrejtësi, ndërsa ngriti pyetje për mungesën e reagimit institucional.

“Po ku është Parlamenti i Kosovës? Ku janë subjektet politike? Ku është Qeveria e Kosovës? Ku është Akademia e Shkencave? Ku është…?! Asnjë veprim me peshë!?”, pyeti ai.

Kritika të drejtpërdrejta Buja pati edhe për PDK-në, duke pyetur pse partia nuk ka thirrur Këshillin Drejtues dhe kryetarët e degëve për organizim dhe koordinim.

“Kështu nuk ecet. Kështu nuk mbrohet askush. As udhëheqësit tanë që u dënuan padrejtësisht, as lufta çlirimtare, as shteti ynë”, tha Buja.

Në fund, ai kritikoi edhe deputetët që, sipas tij, po fokusohen në promovim individual, selfie dhe fotografi nga tubimet.

“Historia nuk do ta mbajë mend sa fotografi bëtë. Do ta mbajë mend kush ishte aty kur duhej të ishte aty dhe çka bëri kur duhej të vepronte!”, përfundoi Buja.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë