PDK dorëzon në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kjo nismë ligjore vjen pas aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, aktgjykim që Partia Demokratike e Kosovës e ka kundërshtuar publikisht dhe e ka cilësuar si të padrejtë dhe të papranueshëm.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në një konferencë për media, ka theksuar se Gjykata Speciale është themeluar për të hetuar pretendimet e raportit të Dick Martyt, prandaj ajo duhet t’i kthehet mandatit mbi të cilin është krijuar.

“Në aktakuzat publike të Dhomave të Specializuara nuk është ngritur as edhe një rast lidhur me pretendimet e raportit të Dick Martyt, i cili ka të bëj me ato akuza aq të rënda. Kjo është arsyeja se pse sot shtrohet një pyetje e thjeshtë: Nëse Kosova e krijoi këtë gjykatë për një mision të posaçëm, a duhet që ky mision të ketë kufij? Projektligji që po paraqitet jep një përgjigje të qartë”, tha Hamza.

Pas këtij vendimi, PDK ka paralajmëruar se, krahas hapave të tjerë demokratikë dhe institucionalë, do të ndërmarrë edhe veprime konkrete ligjore në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Projektligji i dorëzuar sot synon ndryshimin dhe plotësimin e kornizës ligjore mbi të cilën funksionojnë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, duke u mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Amendamentin nr. 24 të Kushtetutës, marrëveshjet ndërkombëtare përkatëse dhe Aktgjykimin KO26/15 të Gjykatës Kushtetuese.

Partia Demokratike e Kosovës konsideron se çdo institucion i themeluar me ligjet e Republikës së Kosovës duhet të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet e vendit, standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe garancitë për një proces të drejtë gjyqësor.

Përmes kësaj nisme, PDK kërkon që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta ushtrojë përgjegjësinë e tij kushtetuese dhe ligjvënëse, duke shqyrtuar me seriozitet dispozitat ligjore që rregullojnë funksionimin e Dhomave të Specializuara.

PDK do të vazhdojë të ndjekë çdo rrugë demokratike, institucionale dhe ligjore për të kundërshtuar atë që e konsideron padrejtësi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe për të kërkuar respektimin e plotë të standardeve të drejtësisë në të gjitha fazat e mëtejshme të procesit.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë