Aliu kërkon falje pas deklaratave që nxitën reagime: E kisha fjalën për Krilevën e Gollakut

Opinionistja Luljeta Aliu ka reaguar pas një debati që ka pasur me sapo të aderuarin e PDK-së, Ardian Kastrati, mbrëmë në një emision televiziv, ku krahasoi votuesit e PDK-së me ata të Kralevës në Serbi.

Aliu ka kërkuar falje për këtë deklaratë, ndërsa ka thënë se fjalën e kishte për fshatin Kralevë në Gollak, transmeton “Zeri.info”.

Ajo ka thënë se pas kësaj deklarate ka filluar një fushatë linçuese kundër saj, ndërsa ka thënë se nuk ka pasur qëllim të fyejë askënd.

Shkrimi i plotë i Aliut:

Krileva është fshat në Gollak. Në momentin kur e përdori kolegu si ofendim, kisha bindjen se po ofendon qytetarët tanë, të Kosovës. Dhe, natyrisht, reagova. Mirëpo, duke menduar se po i mbroj qytetarët kosovarë, reagova shpejt dhe tani po i bart pasojat. Mbrëmë flisnim për linçime. E kjo që po ndodh tani në rrjete sociale ndaj gabimit tim është linçim.

Mua më vjen tepër keq dhe vërtet më ka munduar gjithë natën ideja se njerëzit mund të mendojnë se e mbroj Kralevën e Serbisë, aq më tepër kur është fjala për Drenicë. Për mua Drenica është djepi që ka lindur shumë heronj dhe ka sakrifikuar veten për Kosovën. Është vend i shenjtë. Aq më shumë kur atje u sakrifikua Adem Jashari me familje për lirinë tonë. Por gabimi që më ndodhi, pa qëllim dhe pa vetëdije, tani po keqpërdoret me qëllim.

Unë nga thellësia e shpirtit u kërkoj falje njerëzve që i kam lënduar. Asnjëherë nuk ka qenë mendimi im të ofendoj qytetarët tanë. Ju e dini se nuk jam person që ofendon të tjerët. Qëllimi ishte t’u dal në mbrojtje qytetarëve. Mirëpo, tani, sigurisht që kjo përdoret kundër meje nga kundërshtarët, duke e fryrë dhe duke më demonizuar mua.

Kush më njeh e di që kjo ishte e paqëllimshme. Për të tjerët më vjen keq! Ndërsa ata që kanë qenë në pritje të një gabimi për të më kryqëzuar, tani e kanë mundësinë.

Gjithsesi, të gjithëve ua uroj një ditë të mbarë!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë