Mbahet mbledhje e Qendrës Operative Emergjente lidhur me vërshimet në Drenas

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thirrur mbledhje të Qendrës Operative Emergjente lidhur me situatën aktuale pas vërshimeve.

Kryetari Lladrovci ka njoftuar të pranishmit me gjendjen aktuale në Drenas, vizitën e Kryeministrit, Avdullah Hoti dhe zotimin për mbështetjen për tejkalimin e gjendjes së krijuar pas vërshimeve të mëdha në disa zona.

Kryetari Lladrovci ka theksuar se si pasojë e reshjeve të dendura gjatë këtyre ditëve kanë ndodhur vërshime në disa zona, ku Drejtoria për Shërbime Publike, shërbimi i Zjarrfikësve, Policia dhe të gjithë akterët e tjerë brenda kapaciteteve të tyre po mundohen për minimizimin e dëmeve dhe normalizimin e gjendjes pas vërshimeve.

Ndërsa, ka falënderuar edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës që kanë ndihmuar në largimin e familjeve nga shtëpitë që janë përfshirë nga uji, që pastaj të njëjtat janë strehuar.

Drejtoresha për Shërbime Publike dhe Emergjencë, Lumnije Krapi ka dhënë detaje tjera lidhur me angazhimin e stafit nëpër zonat e vërshuara në mënyrë që t’i ndihmojnë qytetarëve të prekur dhe bizneset që kanë pësuar nga kjo fatkeqësi natyrore.Ndër të tjerash, ka falënderuar shërbimin e zjarrfikësve, FSK-në dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave për përkushtimin dhe angazhimin e tyre në tejkalimin të kësaj situate të rënduar.

Në anën tjetër, Shefi i Njësisë së Shërbimit të Zjarrfikësve, Afrim Gjeli ka sqaruar për anëtarët angazhimin e tyre gjatë këtyre ditëve që ka pasur reshje të shiut. Ai ka njoftuar se me përkushtimin më të madh zjarrfikësit janë në shërbim të qytetarëve të prekur nga vërshimet.

Qytetarët e prekur nga vërshimet, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar dhe kanë nevojë për ushqim, të lajmërohen te administratorët e vendbanimeve në mënyrë që t’i furnizojmë me pako ushqimore dhe higjienike.

Ndërsa, komisioni vlerësues shumë shpejtë pritet të dalë në terren për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

Ftojmë qytetarët për bashkëpunim që bashkë dhe më lehtë të kalojmë këtë gjendje.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë