Ditëve të fundit mungesë e madhe e rrymës në Llapushnik, Arllat e Negroc

Janë bërë tri ditë që qytetarët në pjesë të ndryshme të vendit, po ballafaqohen me mungesë të energjisë elektrike.

Ankesa të shumta, e shqetësime ka pasur nga ana e banorëve të zonave të ndryshme, të cilët thonë se iu është bërë e vështirë jeta pa energji elektrike, kjo për shkak të temperaturave të ulëta.

Viktor Buzhala, zëdhënës në KEDS, ka thënë për IndeksOnline se janë duke punuar fuqishëm që të rikthejnë energjinë elektrike për të gjithë konsumaotrët në rajonin e Dukagjinit.

“Kushtet atmosferike të cilat kanë filluar të rëndohen ditëve të fundit në rajonin e Dukagjinit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në rrjetin energjetik në atë pjesë, ku për pasojë konsumatorët që furnizohen nga daljet e afektuara nga erërat kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike. Më të goditurat ishin Peja e Decani. Si pasojë e erërave të fuqishme dhe faktorëve tjerë atmosferik janë rrëzuar shumë shtylla elektrike, sikurse janë këputur shumë përcues dhe dhe dëmtuar stabilimente tjera përcjellëse”.

Ai tutje ka shtuar se KEDS menjëherë ka mobilizuar dhe angazhuar dhjetëra ekipe të cilat kanë dalur në terren për të sanuar dëmet e shkaktuara dhe për të rikthyer furnizimin me energji elektrike në kohën më të shpejt të mundshme për banorët e zonave të afektuara.

“Kushtet klimatike në zona të thella malore, si Rugova apo disa zona më të thella të Decanit po e vështirësojnë punën në maksimum, pasi atje ka edhe borë. KEDS pos punëtorëve të këtij rajoni, ka dërguar menjëherë edhe ekipe shtesë nga rajonet tjera të Kosovës që t’u dalin në ndihmë për ti sanuar sa më shpejtë prishjet.

Prishjet në nivelin e tensionit të Mesëm pritet të sanohen komplet deri sonte në mbrëmje.

KEDS kërkon nga qytetarët që nëse shohin ndonjë anomali në rrjetin elektrik të mos i afrohen, por të lajmërojnë menjëherë KEDS-in përmes kanaleve të komunikimit, sidomos në numrin e Qendrës së Thirrjeve 0800 791 00”, thotë Buzhala.

Mirëpo, përveç rajonit të Dukagjinit, me mungesë të energjisë elektrike po përballet edhe një pjesë e Fushë Kosovës, dalja Llapushniku në Drenas dhe Dragashi./IndeksOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë