Drenas/ Mbahet mbledhja e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka mbajtur mbledhjen e rregullt apo të tetën me radhë për këtë vit.

Mbledhjen e kryesoi nënkryetari i Komunës së Drenasit, Nazmi Hasi.

Të pranishëm ishin anëtarë të KKSB-së apo përfaqësuesit e tyre dhe përfaqësues nga LMT e KFOR-it Zviceran.

Pikat e rendit të ditës të cilat u diskutuan ishin:
1. Procesverbali i mbledhjes së jashtëzakonshme të KKSB-së të mbajtur me 11.11.2020, i qasshëm në linkun: https://kk.rks-gov.net/gllogoc/wp-content/uploads/sites/10/2020/11/Procesverbali-i-mbledhjes-se-jashtzakonshme-te-KKSB-se-11.11.2020.pdf
2. Njoftim për gjendjen epidemiologjike dhe masat e ndërmarra në Komunën e Drenasit pas kalimit në Zonën e Kuqe;
3. Raportim për përfundimin e gjysmëvjetorit të parë;
4. Raportim nga Zyra për Komunitet dhe Kthim për procesin e ri-integrimit e personave të riatdhesuar;
5. Të ndryshme.

Procesverbali i mbledhjes së fundit u miratua unanimisht dhe pa ndonjë vërejtje.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arsim Haxhiu, i ka njoftuar anëtarët e KKSB-së për bashkëpunimin e rregullt me IKSHP-në sa i përket emrave të të infektuarve, dhe me statistikat e të infektuarve. Ai ka shtuar se që nga marsi i këtij viti deri me datën 16.12.2020, në Drenas, janë prekur 1027 persona, prej tyre janë 333 raste aktive dhe 650 të tjerë janë shëruar. Haxhiu gjithashtu i njoftoi të pranishmit se përmes informimit publik janë njoftuar qytetarët që trajtohen nga virusi SARS-COV-2 se përvec rasteve urgjente, ata mund të kontaktojnë përmes telefonit numrin pa pagesë 194, në mënyrë që të caktohet vend i lirë për marrjen e terapisë infuzive,në mënyrë që të shmangen pritjet dhe fluksi i madh i njerëzve dhe për një organizim më të mirë të marrjes së shërbimeve mjekësore.
Ekipet mjekësorë janë të gatshme nga ora 8:00 e mëngjesit deri në ora 20:00 në kuadër të kapaciteteve të veta ekzistuese në dy qendrat e saj, QKMF në Drenas dhe QMF në Komoran të ofrojnë shërbime shëndetësore, ndërsa pas orës 20:00 është ekipi kujdestar i rregullt që mund të ofrojë shërbime për të infektuarit me COVID-19. Terapia standarde infuzive për trajtim COVID-19 ekziston përjashtimisht pjesës vitaminoze. Gjithashtu, në barnatoren e QKMF-së, gjatë orarit të barnatores, mund të merret komplet terapia orale për trajtimin e COVID-19. Kapacitetet e trajtimit me COVID-19 janë deri në 48 pacientë dhe menaxhimi është nën kontroll.

Drejtori i Drejtorisë Komunale për Arsim, Muhamet Gjoka, paraqiti një përmbledhje të situatës aktuale, tashmë në përfundim të gjysmëvjetorit të parë dhe për sfidat me të cilat është ballafaquar kjo drejtori, për skenarët e ndjekur në disa shkolla, dhe për sukseset e nxënësve të Komunës së Drenasit të cilët përkundër pandemisë kanë arritur rezultate të mira në gara të ndryshme. Njëherësh, i njoftoi të pranishmit me investimet në shkolla që arrijnë shumën 900 mijë euro, dhe si rezultat të gjitha shkollat janë pajisur me laboratorë dhe janë vendosur nën vëzhgim me kamera. Gjithashtu, falënderoi edhe KFOR-in Zviceran për ndihmën në vendosjen e kontakteve me drejtoritë e arsimit në disa kantone të Zvicrës, për të shkëmbyer përvojat për klasa të përziera të nxënësve, duke pasur parasysh zvogëlimin e numrit të nxënësve në zonat rurale të komunës sonë.

Për pikën e katërt të rendit të ditës, shefja e Zyra Komunale për Komunitete dhe Kthim (ZKKK), Afije Veseli, tha se në Komunën e Drenasit gjatë vitit 2020 janë riatdhesuar 7 persona dhe një familje 7 anëtarëshe. Nga këta 7 persona – dy (2) raste janë raste të cenueshme. Ndër të tjera, shefja e ZKKK-së informoi të pranishmit për sfidat me të cilat janë ballafaquar disa nga të riatdhesuarit për regjistrimin e fëmijëve në shkolla, për angazhimin e zyrës që ajo drejton, si dhe mundësitë e ofruara për të riatdhesuarit për vetëpunësim, subvencionim në punësim dhe trajnim për punë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë