Dhënia e pronave të komunës në shfrytëzim në pajtim me ligjin, konfirmuar nga Ministria e Pushtetit Lokal

Komuna e Drenasit ndjen për obligim të sqaroj qytetarët dhe opinionin e gjerë publik, se kronika me titull “Dyshime për mashtrim me prona komunale në Drenas” transmetuar në televizionin KTV dhe portalin Koha.net, është tendencioze dhe e pavërtetë.

Për hir të transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve, sqarojmë se dhënia në shfrytëzim të pronave të paluajtshme komunale, ka qenë proces transparent që nga shpallja publike e deri në nënshkrimin e kontratave me palët fituese.

Procesi i vlerësimit të ofertave për shfrytëzimin e pronës së paluajtshme të komunës ka qenë i bazuar në kriteret e përcaktuara sipas Ligjit Nr.06/L-092 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, si dhe rregullores (QRK) nr.09/2020 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme.

Procesi i dhënies së këtyre pronave në shfrytëzim ka qenë në pajtim të plotë me ligjet e aplikueshme në Kosovë, gjë të cilën e ka konfirmuar Ministria e Pushtetit Lokal me anë të vlerësimit të ligjshmërisë së këtyre vendimeve. Po ashtu, për të qenë me transparent, Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, i ka kërkuar auditorëve të brendshëm që të monitorojnë gjithë procesin, ku të njëjtit nuk kanë gjetur asnjë vërejtje apo parregullësi.

Se shkrimi është i pavërtetë dhe i pabazuar në fakte, përveç shumë të pavërtetave tjera, e dëshmon kur në shkrimin e mediumit thuhet se zyrtari komunal Safet Hoxha është suspendenduar. Ndërsa, realiteti qëndron ndryshe, pasi i njëjti nuk është suspenduar për asnjë edhe një ditë.

Në kronikën e publikuar nga mediumi në fjalë, janë paraqitur individ që po tentojnë të mashtrojnë qytetarët e Drenasit, e që të njëjtit kanë tendenca të hedhin pluhur mbi procesin e drejtë dhe transparent. Madje, ata aludojnë edhe për ryshfet, që ndaj të njëjtëve për këto shpifje, komuna do të ndjek të gjitha procedurat ligjore në organet e hetuesisë.

I sigurojmë operatorët se pretendimet për këto prona se janë në procese gjyqësore dhe të njëjtat kanë masa të përkohshme nuk qëndrojnë.

Të nderuar qytetarë, për të qenë transparent me ju, ju informojmë se i gjithë procesi i dhënies së pronave në shfrytëzim dhe kontratat e nënshkruara me palët fituese, i gjeni të publikuar në ueb faqen zyrtare të Komunës së Drenasit.

Në këtë proces, janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore të aplikueshme në Republikën e Kosovës, dhe komisioni i formuar me vendim të Kuvendit, ka qenë profesional dhe i paanshëm. Po ashtu, komisioni për shqyrtimin e ankesave të kësaj procedure, që i njëjti ka kaluar përmes kuvendit, ka vepruar në mënyrë profesionale dhe ligjore.

Pas përfundimit të procedurave të ankimimit dhe procedurave tjera ligjore, ofertat fituese të zgjedhura nga komisioni janë miratuar nga anëtarët e Kuvendit Komunal dhe ligjshmëria e këtyre vendimeve është konfirmuar nga Ministria e Pushtetit Lokal.

Komuna e Drenasit e cila bazohet në qeverisjen transparente e llogaridhënëse, dy shtyllat kryesore të Kryetarit Lladrovci, gjatë këtij procesi i ka dhënë qasje jo vetëm palëve aplikuese, por edhe të gjitha mediave që kanë shprehur interesim për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Nuk është hera e parë, që për keqardhje disa media dhe individ të caktuar tentojnë të manipulojnë procedurat dhe të dezinformojmë për gjëra të pavërteta. Prandaj, të dashur qytetarë, ju inkurajomë që për çdo pretendim apo dyshim që mund të keni, jo vetëm ju, por edhe OJQ e media, të adresoni në organet e hetuesisë.

Komuna e Drenasit, ju fton për bashkëpunim të mëtutjeshëm në mënyrë që sukseset në të mirë të komunës të jenë të përbashkëta.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë