Deputeti Ferat Shala publikon foto të rrallë me Thaçin, Krasniqin dhe Veselin: “Një jetë angazhim për lirinë e Kosovës”
Deputeti Ferat Shala ka ndarë një foto të papublikuar më parë me ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, duke përkujtuar kontributin e tyre për lirinë e Kosovës. Shala theksoi lidhjen e ngushtë që i bashkon me Thaçin dhe Veselin, si dhe vlerësoi Krasniqin jo vetëm si bashkëluftëtar, por edhe si mentor dhe burim frymëzimi, transmeton DrenicaOnline.
Ai përmendi se katër vite më parë, këta figura të njohura nuk janë më në Kosovë, duke iu referuar sfidës së tyre të tanishme në përballje me drejtësinë. Sipas Shalës, pavarësisht mungesës së tyre fizike, madhështia e luftës dhe përkushtimit të tyre për vendin është gjithnjë e më e dukshme.
Duke shprehur besim të plotë në drejtësi, Shala u shpreh optimist se do të kthehen faqebardhë, duke mbetur gjithmonë “sypatrembur” dhe të bindur në pastërtinë e luftës për liri të popullit të Kosovës.
Postimi i plotë:
Me Hashimin dhe Kadriun, si edhe me Rexhën, na bashkon një jetë angazhim dhe luftë për një ideal të përbashkët – lirinë e Kosovës.Jakup Krasniqi nuk ishte vetëm bashkëluftëtar, por edhe mësuesi im, nga i cili mora edhe dije e mësime, por edhe frymëzime atdhedashurie.
Sot bëhen katër vite që të katërtit nuk janë në Kosovë. Angazhimi i tyre për të drejtën e popullit të Kosovës për liri sot ka marrë trajtën e mbrojtjes së kësaj të drejte. Sa më shumë kalon koha, mungesa e tyre bëhet më e dukshme, madhështia tyre më evidente dhe lufta e tyre më sublime.
Sypatrembur, siç ishin gjithmonë, të katërtit e pranuan pa mëdyshje përballjen me drejtësinë, të bindur në pastërtinë e luftës së popullit tonë për liri.
E, me besim në drejtësi, faqebardhë do të kthehen në fund.