Drenori propozon Hashim Thaçin për President në rast të pafajësisë nga Specialja

Asamblisti i Kuvendit Komunal të Drenasit nga Green për Drenasin/VV, Xhavit Drenori, ka dalë me një propozim politik në prag të shpalljes së vendimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Drenori ka propozuar që, nëse më 16 shtator Hashim Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së shpallen të pafajshëm, Kuvendi i Kosovës të mblidhet dhe ta votojë Thaçin për President të Republikës së Kosovës.

“Propozimi im është ky: Në ditën kur katër krerët e UÇK-së shpallen të pafajshëm — dhe unë besoj fuqishëm se kjo do të ndodhë më 16 shtator — Kuvendi i Kosovës të mblidhet dhe të votojë për President z. Hashim Thaçin”, ka shkruar Drenori.

Sipas tij, një veprim i tillë do të korrigjonte atë që ai e konsideron padrejtësi ndaj Thaçit, i cili dha dorëheqje nga posti i Presidentit pas konfirmimit të aktakuzës.

Drenori thotë se zgjedhja e Thaçit do të ishte gjithashtu shprehje respekti për sakrificën dhe vitet e kaluara në paraburgim nga ish-krerët e UÇK-së, si dhe një mesazh për rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në historinë e vendit.

Ai vlerëson se një vendim i tillë mund të ndikonte edhe në zbutjen e ndasive dhe polarizimit politik në Kosovë.

Drenori ia ka drejtuar propozimin kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se një veprim i tillë do t’i tejkalonte ndasitë politike.

“Do të ishte një akt shtetëror, një gjest i madh politik dhe, mbi të gjitha, një mundësi për ta kthyer një moment të rëndësishëm të historisë sonë në një moment pajtimi për shoqërinë e Kosovës”, ka shkruar Drenori.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë