Zbulim i madh në Verboc? Gjurmët mund të jenë deri në 70 mijë vjet të vjetra

Gjurmë deri në 70 mijë vjet të vjetra mund të jenë zbuluar në Verboc, studiues ndërkombëtarë po hulumtojnë lokalitetin

Një lokalitet në fshatin Verboc të Drenasit mund të jetë duke zbuluar dëshmi të jashtëzakonshme nga periudha e Paleolitit, me gjurmë që, sipas vlerësimeve të para të studiuesve, mund të jenë nga 25 mijë deri në 70 mijë vjet të vjetra.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, së bashku me nënkryetarin Arben Shala, kanë vizituar lokalitetin ku po zhvillohen hulumtime dhe gjurmime arkeologjike nga studiues të Universitetit të Tübingenit në Gjermani, në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik të Kosovës.

Pjesë e ekipit është edhe arkeologu nga Drenasi, Sami Haziraj, ndërsa në hulumtime është i përfshirë edhe Prof. Dr. Harald Floss, profesor në Universitetin e Tübingenit dhe studiues i njohur i Paleolitit. Nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, puna në terren udhëhiqet nga arkeologu Luan Gashi.

Gjurmimet e para në këtë lokalitet kishin nisur në vitin 2021, ndërsa puna e vazhdueshme ka nxjerrë në pah potencialin arkeologjik të zonës.

Sipas studiuesve, gjatë kërkimeve janë identifikuar gjurmë të konsiderueshme që mund t’i përkasin periudhës së Paleolitit. Megjithatë, bëhet fjalë ende për vlerësime fillestare, ndërsa mosha dhe rëndësia përfundimtare e gjetjeve do të përcaktohen pas analizave të mëtejshme shkencore.

Lladrovci ka thënë se këto hulumtime mund të dëshmojnë se në territorin e Drenasit ruhen gjurmë të jetës njerëzore prej dhjetëra mijëra vitesh.

“Është jashtëzakonisht interesante të shohësh se në tokën e Drenasit mund të ruhen gjurmë që na çojnë dhjetëra mijëra vite prapa në historinë e njerëzimit. Verboci po dëshmon se trashëgimia jonë është shumë më e thellë dhe më e pasur sesa ajo që kemi njohur deri më sot”, ka deklaruar Lladrovci.

Ai ka shtuar se Komuna e Drenasit do të vazhdojë të mbështesë punën shkencore dhe institucionale për dokumentimin dhe ruajtjen e kësaj trashëgimie.

Rezultatet përfundimtare të hulumtimeve pritet të japin përgjigje më të sakta për moshën dhe rëndësinë e lokalitetit të Verbocit, i cili potencialisht mund të përfaqësojë një prej dëshmive më të hershme të pranisë njerëzore në këtë pjesë të Kosovës.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë