Driton Ajazi mobilizon PDK-në në Drenas për “Marshin e Lirisë”: Më 12 shtator duhet të jemi aty

Kreu i PDK-së në Drenas, Driton Ajazi, ka bërë të ditur se sot, së bashku me strukturat e Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, kanë zhvilluar takim koordinues për aktivitetet dhe angazhimin në mbështetje të “Marshit të Lirisë”, që do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, transmeton portali DrenicaOnline.

Ajazi ka thënë se ky marsh është thirrje për drejtësi dhe liri për njerëzit që luftuan për Kosovën dhe që, sipas tij, sot po përballen me një padrejtësi që nuk duhet të zgjasë më.

“Ky është një marsh për drejtësi dhe liri për njerëzit që luftuan për Kosovën dhe që sot përballen me një padrejtësi që nuk duhet të zgjasë më”, ka deklaruar Ajazi.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që më 12 shtator të jenë të pranishëm në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

“Më 12 shtator, le ta ngrisim zërin bashkë! Të jemi të shumtë në Sheshin ‘Skënderbeu’, sepse prania jonë është dëshmia më e fuqishme se Kosova nuk harron, nuk hesht dhe nuk heq dorë nga çlirimtarët e saj”, ka shkruar ai.

Ajazi ka theksuar se këtë herë, sipas tij, nuk mjafton vetëm kujtimi dhe mbështetja nga larg.

“Më 12 shtator, nuk mjafton të kujtojmë, duhet të jemi aty! Për drejtësi. Për liri. Për Çlirimtarët tanë!”, ka përfunduar Ajazi.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë