Maqedonci për suksesin e Rona Malës në SHBA: Vajza nga Drenasi, që po e bën krenare Kosovën në Ushtrinë Amerikane

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka ndarë një histori suksesi të një vajze nga diaspora shqiptare, e cila i është bashkuar Gardës Kombëtare të Luizianës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka bërë të ditur se Rona Mala, me prejardhje nga Drenasi, pas 12 javësh përgatitjeje intensive ka përfunduar me sukses Basic Combat Training në bazën ushtarake Fort Sill, në Oklahoma.

Aktualisht, ajo po vazhdon Advanced Individual Training në Fort Leonard Wood, Missouri, pas përfundimit të të cilit pritet t’u rikthehet studimeve universitare.

Reagimi i plotë:

Vajzat e diasporës sonë po dëshmojnë çdo ditë se, me përkushtim dhe guxim, mund të arrijnë suksese në çdo fushë, përfshirë edhe shërbimin në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një shembull frymëzues është Rona Mala, vajzë e re me prejardhje nga Drenasi, e cila i është bashkuar Gardës Kombëtare të Luizianës. Pas 12 javësh përgatitjeje intensive, Rona përfundoi me sukses Basic Combat Training në bazën ushtarake Fort Sill, në Oklahoma. Aktualisht, ajo po vazhdon Advanced Individual Training në Fort Leonard Wood, Missouri, pas përfundimit të të cilit do t’u rikthehet studimeve universitare.

Kisha nderin të isha i ftuar si Mysafir Nderi në ceremoninë e diplomimit të saj në Fort Sill. Fatkeqësisht, për shkak të angazhimeve të mia zyrtare në Kosovë, nuk pata mundësi të merrja pjesë, por kjo nuk e zvogëlon aspak krenarinë dhe respektin tim për arritjen e saj.

Rona është ndër vajzat e rralla të diasporës sonë, që në një moshë kaq të re, ka zgjedhur t’i bashkohet Ushtrisë Amerikane. Historia e sukseseve të saj ka nisur shumë më herët: ajo është dalluar vazhdimisht gjatë shkollimit, ka qenë pjesë e “Honor Roll” dhe ka arritur deri në finale të garave kombëtare të vallëzimit në Shtetet e Bashkuara.

Suksesi i Ronës është krenari për familjen e saj, për Drenasin, për diasporën tonë dhe për të gjithë Kosovën. Kjo dëshmon se vajzat tona, kudo që jetojnë, po ecin me vendosmëri përpara dhe po përfaqësojnë me dinjitet prejardhjen e tyre.

Urime, Rona! Të uroj suksese në vazhdimin e trajnimit, në studime dhe në çdo sfidë të ardhshme. Kosova dhe diaspora jonë krenohen me ty!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë