Pse është mbyllur “Bau Market” në Komoran dhe Fushë Kosovë, vjen përgjigja nga kompania

Kompania “Bau Market” L.L.C, e njohur për rrjetin e saj të shitjes me pakicë dhe shumicë, ka mbyllur së fundmi piken në Fushë Kosovë dhe para disa muajve edhe në Komoran, si pjesë e një strategjie të riorganizimit. Ndërkohë, kompania ka bërë të ditur për portalin “DrenicaOnline” se do të hapë së shpejti pika të reja në Fushë Kosovë dhe Gjilan, për të përmbushur më mirë nevojat e konsumatorëve të saj.

Lidhur me mbylljen e pikave, përfaqësuesit e “Bau Market” L.L.C deklaruan për DrenicaOnline: “Bau Market i takon grupit të kompanive të shitjes me pakicë dhe shumicë, dhe njësitë e saj janë të hapura në pika strategjike të shitjes, me qëllim të përmbushjes së kërkesave të konsumatorëve tanë.”

Kompania shtoi se ndryshimet lidhen me një investim të rëndësishëm në depon qendrore logjistike në Miradi – Fushë Kosovë. “Investimi ynë në Depon Qendrore Logjistike në Miradi me sipërfaqe mbi 17,000 m² ka ndikuar në disa lëvizje strategjike të lokacioneve të njësive tona të shitjes me pakicë. ‘Bau Market’ publikisht ka njoftuar konsumatorët e saj që shumë shpejtë do të bëjë hapjen e pikës së re në Fushë Kosovë,” theksuan përfaqësuesit e kompanisë.

Për sa i përket punonjësve, kompania siguroi se të gjitha procedurat janë kryer sipas ligjit dhe të gjithë janë sistemuar në vende të reja pune. “Në përshtatshmëri me Ligjin e Punës, mbron dhe respekton të drejtat e të gjithë të punësuarve. Ndryshimet tona janë strategjike dhe synojnë të përmirësojnë mirëqenien e përgjithshme të biznesit, klientëve dhe stafit tonë,” deklaruan nga “Bau Market” L.L.C.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë