Ky është grupi i hajnave për vjedhjet e rënda në rajonin e Prishtinës, 3 në pranga e 1 në arrati

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet e grabitjet e armatosura, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri për shtëpitë private, bizneset dhe jo vetëm. Cak i Policisë ka qenë së fundmi një grup i hajnave të marketeve, tre prej të cilëve tashmë janë kapur – ndërsa në kërkim është edhe një tjetër, raporton Gazeta Sinjali.

Ky grup dyshohet për plot vjedhje të rënda që janë kryer në rajonin e Prishtinës, gjatë muajve të fundit, në periudha të ndryshme kohore.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi i tretë i arrestuar sot është Fitim Cakolli, 35-vjeçar, ndërsa në kërkim është Armend Morina.

Dy të arrestuarit e parë janë Edonis Osmani dhe Mehmet Morina, emrat e të cilëve, Gazeta Sinjali i ka publikuar para disa ditësh.

Të dyshuarit, sipas informacioneve të para, së paku 10 raste të vjedhjeve i kanë kryer të maskuar, ku me mjete të forta kanë thyer marketet që kishin cak.

Ndaj Cakollit, pas shoqërimit në stacion dhe intervistimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor.

Deri më tash, Policia ka sekuestruar pesë automjete, që dyshohet se janë përdorur nga të dyshuarit për kryerjen e vjedhjeve.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë