Qeveria vendos masat e reja anti-Covid, nesër hyjnë në fuqi

Në mbledhjen e 32-të të Qeverisë së Kosovës, janë miratuar masat e reja anti-Covid.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, ka vendosur që nga data 29 gusht (e diel) të hyjnë në fuqi masat e reja anti-COVID, duke rikthyer sërish kufizimin e lëvizjes, shtyrjen e fillimi të vitit të ri shkollor dhe shkurtimin e orarit të punës së gastronomisë.

Po ashtu, kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar zyrtarisht se procesi i fillimit të vitit të ri shkollor është shtyrë deri më 13 shtator.

“Tani jemi të detyruar që paralelisht me vaksinimin masiv të marrim masa kufizuese që sikurse në fillim të qeverisjes sonë kanë për qëllim ndërprerjen sa më të shpejtë të trendit të rritjes dhe më pastaj uljen e tij. Që të parandalojmë përhapjen e virusit te të rinjtë, jemi të detyruar ta shtyjmë fillimin e vitit të ri shkollor”, ka thënë Kurti.

Kurse, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka propozuar masat shtesë anti-COVID, të cilat i ka miratuar Qeveria.

Gjithashtu rikthehet masa e kufizimit të lëvizjes (ora policore) nga ora 22:00 deri në 05:00.

Ndërsa, lokalet hoteliere, restorantet dhe kafiteritë do të punojnë deri në orën 21:30 dhe atë në ambientet e hapura.

Të gjithë qytetarët që do të hyjnë në Kosovë, nëpër pikat kufitare duhet të paraqesin dëshmi që nuk janë të infektuar me COVID-19.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë