E quajtën Flaka sepse lindi në luftë, një muaj më vonë iu zhduk babai – pas 27 vitesh merr lajmin për fatin e tij

Pas 27 vitesh pritjeje, ankthi dhe shprese, familja e doktorit të luftës, Fatmir Fazlija, ka marrë lajmin për identifikimin e mbetjeve mortore të tij.

Një histori veçanërisht prekëse është ajo e vajzës së tij, Flaka Fazlija, e cila lindi gjatë luftës në Kosovë dhe ishte vetëm njëmuajshe kur babai i saj u zhduk.

Emrin Flaka e mori pikërisht për shkak se kishte lindur në kohë lufte. Ajo u rrit pa praninë e babait, duke pritur së bashku me familjen për 27 vite që të mësonte për fatin e tij.

Përmes një njoftimi publik, familja Fazlija ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës i kanë informuar që laboratorët në Hagë, përmes analizave të ADN-së, kanë arritur të identifikojnë mbetjet mortore të doktor Fatmir Fazlisë.

“27 vite pritje, 27 vite ankth… por sot, më në fund, e vërteta gjeti rrugën e saj”, thuhet në njoftimin e familjes.

Familjarët kanë kujtuar me krenari kontributin e tij si mjek gjatë luftës, duke theksuar se për gati tri dekada e kanë mbajtur gjallë kujtimin dhe shpresën për kthimin e tij.

“E ti sërish na dole në fjalë… po i rikthehesh tokës që e deshe e për të cilën sakrifikove gjithçka”, thuhet tutje në njoftim.

Familja ka falënderuar institucionet e Republikës së Kosovës dhe të gjithë ata që kontribuuan në zbardhjen e fatit të tij.

Për datën dhe detajet e ceremonisë së rivarrimit, familja Fazlija ka njoftuar se do të informojë në ditët në vijim.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë
✕