Shërbimi Korrektues feston 27-vjetorin, Dibrani shpalos sukseset

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar 27-vjetorin e themelimit me një ceremoni solemne, ku u prezantuan zhvillimet, rezultatet dhe të arriturat e institucionit ndër vite, si dhe u vlerësua kontributi i zyrtarëve korrektues në garantimin e sigurisë, zbatimin e ligjit dhe proceset e rehabilitimit dhe risocializimit të personave të privuar nga liria.

Në këtë ceremoni morën pjesë Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, Kryeministri Albin Kurti, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, përfaqësues të institucioneve të vendit, organizatave ndërkombëtare, partnerëve dhe bashkëpunëtorëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, gjatë prezantimit të rezultateve, theksoi se mbi 5 mijë persona të privuar nga liria janë përfshirë në programe edukative, profesionale dhe rehabilituese, ndërsa rreth 600 raste të kontrabandës janë parandaluar dhe zbuluar në institucionet korrektuese.

Ai theksoi se gjatë viteve të fundit SHKK-ja ka shënuar progres në avancimin e kornizës ligjore, modernizimin e infrastrukturës, përmirësimin e teknologjisë dhe ngritjen profesionale të stafit.

“Kemi avancuar kornizën ligjore përmes nxjerrjes së Ligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës, ndryshimit të ligjeve kryesore dhe miratimit të rreth 30 akteve nënligjore. Kemi investuar në ngritjen profesionale të stafit, me qindra zyrtarë të trajnuar brenda dhe jashtë vendit, si dhe kemi fuqizuar institucionin me mbi 400 zyrtarë të rinj”, deklaroi Dibrani.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile, përmes dhjetëra marrëveshjeve të bashkëpunimit, të cilat kanë krijuar mundësi të reja për aftësimin profesional dhe përgatitjen e personave të privuar nga liria për rikthim në shoqëri.

“Këto nuk janë vetëm statistika; janë njerëz që kanë fituar një profesion, një mundësi të re dhe një arsye më shumë për t’u kthyer si persona të dobishëm në shoqëri”, u shpreh Dibrani.
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, vlerësoi rolin e Shërbimit Korrektues të Kosovës në garantimin e sigurisë dhe forcimin e sundimit të ligjit, duke theksuar se misioni i këtij institucioni shkon përtej administrimit të vuajtjes së dënimit.

Ajo nënvizoi se funksionimi dhe rezultatet e institucionit mbështeten mbi angazhimin e përditshëm të zyrtarëve korrektues, të cilët shërbejnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe përkushtim.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përgëzoi Shërbimin Korrektues për rezultatet e arritura, duke theksuar se ato përbëjnë njëkohësisht krenari dhe përgjegjësi për të ardhmen. Ai rikonfirmoi mbështetjen e Qeverisë për ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve profesionale të institucionit.

“Vlerësimet dhe rezultatet e arritura janë arsye për krenari për ju dhe gjithë ne, por edhe përgjegjësi për të ardhmen. Jemi të vetëdijshëm që mbeten sfida. Do të presim gjithnjë më shumë prej jush. Qeveria në këtë ngritje të vazhdueshme do të jetë përherë mbështetëse e SHKK-së për ngritjen e kapaciteteve profesionale. Ky është misioni që duhet të vijojë me përgjegjësi e përkushtim. Faleminderit për rolin dhe kontributin për shumë vjet”, tha Kurti.
Ndërkaq, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, vlerësoi profesionalizmin, përkushtimin dhe integritetin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, duke veçuar avancimin e infrastrukturës dhe përafrimin e institucionit me standardet bashkëkohore korrektuese.

Ajo vuri në pah rëndësinë e programeve rehabilituese dhe angazhimin në proceset e riintegrimit dhe risocializimit të personave të privuar nga liria, duke theksuar edhe kontributin e Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe të Drejtorit të Përgjithshëm, Ismail Dibrani, në zhvillimin dhe transformimin e institucionit.

Shënimi i 27-vjetorit ishte një mundësi për të reflektuar mbi rrugëtimin dhe zhvillimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, por edhe për të theksuar përgjegjësinë për vazhdimin e reformave, forcimin e sigurisë, ngritjen profesionale të stafit dhe avancimin e programeve që krijojnë mundësi për ndryshim dhe rikthim të suksesshëm në shoqëri.

Me këtë përvjetor, Shërbimi Korrektues i Kosovës riafirmon përkushtimin për përmbushjen e misionit të tij institucional, duke ndërthurur sigurinë, profesionalizmin, respektimin e të drejtave të njeriut dhe rehabilitimin e personave të privuar nga liria.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë
✕