Fatmir Limaj: Kosova nuk është më e njëjta pas 16 shtatorit, aktgjykimi në Hagë ka goditur rëndë vendin

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka nisur në Kaçanik dhe Ferizaj ciklin e takimeve me qytetarë, aktivistë dhe struktura të partisë, me temën “Kosova pas aktgjykimit të 16 shtatorit”.

Limaj ka bërë të ditur se gjatë këtyre takimeve është diskutuar për gjendjen aktuale politike, sfidat ekonomike dhe sociale, sigurinë e vendit, si dhe çështjet që lidhen me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Dhomat e Specializuara.

Sipas tij, qytetarët kanë shprehur shqetësime për mënyrën e trajtimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe kthimin e tij në Kuvend.

“Veçanërisht, qytetarët shprehën shqetësim dhe zhgënjim për mënyrën se si është vepruar me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe kthimin e tij në Kuvend. Ata kërkojnë qartësi dhe presin përgjegjësi”, ka deklaruar Limaj.

Ai ka theksuar se, sipas vlerësimit të tij, aktgjykimi i 16 shtatorit në Hagë ka pasoja që shkojnë përtej individëve të përfshirë në procesin gjyqësor.

“Kosova nuk është më e njëjta pas 16 shtatorit, aktgjykimi i 16 shtatorit në Hagë nuk mund të shihet vetëm si çështje e individëve që po gjykohen. Pasojat e tij shtrihen shumë më gjerë. Ai ka goditur rëndë Kosovën, ka prekur dinjitetin e luftës çlirimtare dhe ndjenjën e drejtësisë së qytetarëve tanë”, është shprehur Limaj.

Kreu i Nismës ka shtuar se lufta e UÇK-së ishte luftë për liri dhe se, sipas tij, këtë të vërtetë nuk mund ta lëkundë asnjë aktgjykim.

Limaj ka paralajmëruar se takimet do të vazhdojnë edhe në qytete të tjera të Kosovës, me qëllim dëgjimin e shqetësimeve dhe kërkesave të qytetarëve.

“Kosovës i duhet përgjegjësi, vendosmëri dhe veprim. Përballë sfidave me të cilat po përballet vendi, institucionet duhet të jenë në nivel të detyrës dhe të veprojnë në interes të shtetit dhe qytetarëve”, ka përfunduar ai.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë
✕