Shpëtoi jetë gjatë luftës, familja e priti 27 vjet – identifikohen mbetjet mortore të Dr. Fatmir Fazliut nga Skenderaji
Pas 27 vitesh pritjeje dhe ankthi për familjen, Dr. Fatmir Fazliu po kthehet në tokën e tij.
Mjeku i njohur nga Skenderaj, emrin e të cilit e mban Shtëpia e Shëndetit në këtë qytet, kujtohet për kontributin e jashtëzakonshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, kur u bë shpresë për shumë të plagosur, duke u përkushtuar në shpëtimin e jetëve njerëzore.
Derisa ai shpëtonte jetë në ditët më të vështira të luftës, familjes së tij iu desh të priste gati tri dekada për të mësuar për fatin e tij dhe për ta kthyer në vendlindje.
Bashkë me Dr. Fatmir Fazliun janë identifikuar edhe mbetjet mortore të Adem (Fazli) Ademit dhe Ali (Islam) Halitit, të cilët ishin pjesë e Grupit të Intelektualëve.
Identifikimi i tyre i jep fund një pritjeje të gjatë për tri familjet, të cilat për 27 vjet jetuan me dhimbjen dhe pasigurinë për fatin e më të dashurve të tyre.
Emri dhe vepra e Dr. Fatmir Fazliut do të vazhdojnë të jetojnë në Skenderaj, ndërsa kujtimi për të dhe dy intelektualët e tjerë do të mbetet i përhershëm.
Ngushëllime të sinqerta familjeve Fazliu, Ademi dhe Haliti!


