Pas 27 vitesh identifikohen mbetjet mortore të juristit Ali Haliti nga Skenderaj
Pas 27 vitesh pritjeje, dhimbjeje dhe pasigurie, janë identifikuar mbetjet mortore të juristit Ali Haliti, nga fshati Kostërrc i Komunës së Skenderajt, i cili ishte pjesë e Grupit të Intelektualëve të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ali Haliti ishte jurist i diplomuar dhe për një kohë të gjatë kishte punuar në Qendrën për Punë Sociale në Skenderaj, ku kishte dhënë kontribut të çmuar në ndihmë të familjeve në nevojë.
Ai njihej si një njeri human, i përkushtuar dhe shumë i respektuar nga qytetarët e Skenderajt dhe të fshatrave përreth. Përmes profesionit të tij, Haliti kishte ndihmuar shumë familje si para luftës, ashtu edhe gjatë periudhës së vështirë të luftës.
Pas gati tri dekadash, familja Haliti më në fund ka marrë lajmin për identifikimin e mbetjeve mortore të njeriut të tyre të dashur, për të cilin kishte pritur plot 27 vjet.
Ali Haliti do të kujtohet për humanizmin, profesionalizmin dhe kontributin e tij në shërbim të qytetarëve të Skenderajt.
DrenicaOnline i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Haliti.
Lavdi jetës dhe veprës së Ali Halitit!


