“Unë dhe vëllai im Thaçi”/ Ekipi i Hashim Thaçit rikthen deklaratën e Erdoğan-it nga vizita historike në Kosovë

Ekipi i ish-presidentit Hashim Thaçi ka publikuar sot, përmes llogarisë së tij zyrtare në Facebook, disa fotografi dhe një kujtim nga vizita e parë e Recep Tayyip Erdoğan-it në Kosovën e pavarur, më 3 nëntor 2010.

Në këtë ditë, 16 vjet më parë, Thaçi, atëherë kryeministër i Kosovës, kishte pritur në Prishtinë homologun e tij turk, të cilin e kishte falënderuar për njohjen e pavarësisë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë.

Në publikim është rikujtuar edhe deklarata e Erdoğan-it, i cili atëbotë i ishte referuar Thaçit si vëlla.

“Unë dhe vëllai im Thaçi, në bisedimet tona në Ankara dhe në takimin e sotëm, u zotuam të vazhdojmë këtë unitet dhe bashkëpunim ndërmjet vendeve tona, për ta ndihmuar Kosovën drejt një të ardhmeje më të ndritur dhe më të begatë”, citohet të ketë deklaruar Erdoğan.

Në fund të publikimit, ekipi i Thaçit ka theksuar angazhimin e tij gjatë karrierës politike për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe marrëdhënieve me aleatët strategjikë të Kosovës.

Foto: Astrit Ibrahimi

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë
✕