Goditet grupi kriminal ndërkombëtar, sekuestrohen 37 kilogramë heroinë me vlerë mbi gjysmë milioni euro – arrestohen pesë persona
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se një grup kriminal ndërkombëtar është goditur gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Sipas Sveçlës, gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 37 kilogramë heroinë, të ndarë në 62 paketime, me vlerë të përllogaritur në treg mbi 500 mijë euro.
Po ashtu, janë arrestuar pesë persona të dyshuar për pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar, si dhe për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.
Ministri Sveçla ka theksuar se angazhimi i institucioneve kundër krimit të organizuar do të vazhdojë me intensitet të shtuar.
“Republika e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë zonë e sigurt për kriminelët, e as për aktivitetet që cenojnë sigurinë e vendit, shëndetin dhe mirëqenien e rinisë dhe të gjithë qytetarëve tanë”, ka deklaruar Sveçla.

