Gjashtë vjet nga arrestimi i Jakup Krasniqit, Izet Ibrahimi shpërthen me kritika
Izet Ibrahimi ka reaguar me rastin e gjashtëvjetorit të arrestimit të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe njërit prej ish-udhëheqësve të UÇK-së, Jakup Krasniqi.
Ibrahimi ka thënë se ky përvjetor e gjen shoqërinë kosovare në rrethana jashtëzakonisht të rënda, pas dënimit me 25 vjet burgim të Krasniqit nga Gjykata Speciale në Hagë.
“Ky përvjetor i gjashtë i arrestimit të Bacit Jakup e gjen shoqërinë tonë në një rrethanë jashtëzakonisht të rëndë, pas dënimit të shkallës së parë me 25 vite burgim nga Gjykata e Hagës dhe paqartësive, dilemave e konfuzitetit që solli i ashtuquajturi ligji ‘Gruda’”, ka shkruar Ibrahimi.
Ai ka rikujtuar edhe deklaratën e tij të gjashtë viteve më parë, duke shprehur kritika të ashpra ndaj mënyrës se si shoqëria po e trajton figurën e Jakup Krasniqit.
“Në një shoqëri që mirëmban sisteme të prishura drejtësie dhe burgun e konsideron të përshtatshëm për Bacin Jakup, luftëtarin dhe veteranin e pavarësisë, pa dyshim ajo shoqëri ka rrëshqitur në tradhti ndaj idealeve të vitit 1999 dhe gjithë përpjekjeve tona për çlirim”, ka theksuar Ibrahimi.
Jakup Krasniqi u arrestua më 4 nëntor 2020 dhe u transferua në Hagë. Më 16 shtator 2026, ai u dënua me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe nuk është përfundimtar.


