Drenas/ Përfundojnë dëgjimet buxhetore për planifikimin e buxhetit për vitet 2022-2024

Të premten, kanë përfunduar dëgjimet buxhetore të mbajtura në bashkësinë lokale në Arllat, Komoran dhe Drenasi, ndërsa një ditë para, dëgjimet buxhetore janë mbajtur në bashkësinë lokale të Dobroshecit, Tërstenikut dhe Baicës si dhe dëgjimi i përgjithshëm buxhetor gjinor.

Në këto takime merrnin pjesë, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, drejtor të drejtorive komunale, administrator të vendbanimeve, përfaqësues të lagjeve dhe qytetarë.

Fillimisht, ne këto dëgjime, përfaqësuesit komunal, kanë shpalosur synimet e Komunës për buxhetin e vitit 2022 dhe planifikimin për vitet 2023 dhe 2024, dhe ka treguar për projektet qe do të zhvillohen në lokalitetet e tyre, ndërsa të gjithë të pranishmit janë pajisur me materialet informuese të projekteve kapitale qe janë planifikuar të realizohen gjatë viteve në vazhdim në lokalitete e tyre.

Takimi i parë është mbajtur në bashkësinë e Arllatit me banorët e fshatrave Arllat, Llapushnik, Negroc, Vuçak, dhe Gjergjicë. Pastaj në bashkësinë lokale të Komoranit me banorët e fshatrave Kizhnarekë, Nekoc, Fushticë e ulët dhe e epërme, Korroticë e ulët dhe e epërme, Zabel i ulët dhe i epërm dhe Sankoc. Ndërsa, takimi i tretë është mbajtur në Drenas, me banorë të Drenasit I, II dhe II, Poklek i ri dhe i vjetër, Vasilevë, Gllobar dhe Shtrubullovë.

Dëgjimet buxhetore janë mbajtur me këtë rend dite: informata e përgjithshme lidhur me buxhetin komunal 2022-2024, lista e investimeve kapitale dhe kërkesat e banorëve.

Qëllimi i mbajtjes së këtyre dëgjimeve buxhetore nga ana e komunës është që të shpalosin para qytetarëve procedurën e shpërndarjes së parasë publike, ndërsa nga qytetarët të marrin kërkesat e tyre për projektet që janë në interes të vendbanimeve ku ata jetojnë.

Të pranishmit në këto takime buxhetore kanë dhënë rekomandimet e tyre, kërkesat dhe projektet që janë me interes të përgjithshëm të kryhen në vitin e ardhshëm e që janë me interes për komunitetin ku ata jetojnë.

Me këto takime, është përmbyllur cikli i dëgjimeve buxhetore për këtë vit nga ana e ekzekutivit, ndërsa qytetarët ende kanë mundësinë që të paraqesin kërkesat e tyre në formën elektronike ose përmes formës fizike në drejtoritë përkatëse. Takimet tjera buxhetore mund të mbahen nga ana e Komitetit për Politikë e Financa pasi ekzekutivi të dorëzon projeksionin buxhetor për vitet 2022-2024 para datës 30 gusht të këtij viti.

Kujtojmë se buxheti i Komunës për vitin 2022 do të jetë rreth 16 milion, kurse për investime kapitale për realizimin e projekteve do të jenë afër 4 milion.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë