​Rashica u rikuperua në kohë, sot luan nga minuta e parë

Milot Rashica do të luajë nga minuta e parë në ndeshjen e sotshme të Werder Bremenit, kundër Herthas, e cila do të fillojë në orën 18:30 dhe do të jetë e vlefshme për xhiron e 22-të të Bundesligës.

Anësori i ekipit kombëtar të Kosovës, Milot Rashica, e nisi një të dielën e kaluar në mënyrën më fantastike të mundshme, duke i shënuar dy gola shumë të bukur brenda më pak se gjysmë ore kundër Augsuburgut në Bundesligë, shkruan Gazeta Express.

22-vjeçari hapi serinë e golave për Bremenin pas vetëm pesë minutave lojë, kur shënoi pasi trullosi një mbrojtës kundërshtar dhe futi topin në rrjetën e portës duke e bërë portierin të hidhet në krahun e gabuar.

Kur akrepat shënonin 28 minuta lojë, Rashica mori një top pothuajse në gjysmë të fushës nga krahu i majtë, u fut në zonë duke e nxjerr një tjetër mbrojtës nga loja dhe shënoi në qoshen e majtë të portierit me një supergoditje.

Por, vetëm tetë minuta më vonë, ai ndjeu dhimbje shpine, problem të cilin e kishte edhe disa javë më parë, dhe u zëvendësua për t’i ikur më të keqes.

Megjithatë, Rashica është rikuperuar në kohë për këtë ndeshje dhe tani do të tentojë të jetë po aq vendimtar sa në ndeshjet e fundit për skuadrën e tij dhe t’ia sigurojë trajnerit Florian Kohfledt tri pikët e radhës.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë