Drenasi shpall “Qytetarë Nderi” tre kolosë të diplomacisë ndërkombëtare – Robertson, Solana dhe Albright

Kuvendi i Komunës së Drenasit ka miratuar sot njëzëri propozimin e kryetarit Ramiz Lladrovci për t’u dhënë titullin “Qytetar Nderi” tre figurave të shquara të diplomacisë ndërkombëtare: Lord George Robertson nga Mbretëria e Bashkuar, Javier Solana nga Spanja dhe Madeleine Albright (pas vdekjes) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton portali DrenicaOnline.
Këta tre personalitete historike, me kontribut vendimtar në lirinë dhe shtetësinë e Kosovës, janë nderuar për rolin e tyre në kohët më të vështira për popullin shqiptar dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj shtetit të Kosovës.
Kryetari Ramiz Lladrovci u shpreh:
“Faleminderit asambliste dhe asamblistë, nderuat veten dhe shprehët mirënjohje për miqtë e Kosovës. Krenar me Kuvendin e Drenasit. Nderim për të gjithë kontribuuesit e lirisë e shtetit tonë nga vendet dhe institucionet mike. Miqtë e kohërave të vështira janë dëshmia më e mirë e miqësisë!”
Kjo shpallje është një akt simbolik mirënjohjeje dhe një trashëgimi që synon të ruajë kujtimin dhe respektin për ata që qëndruan pranë Kosovës në kohët më të vështira./DrenicaOnline/