Altin Krasniqi nga protesta në Prishtinë: “Nuk u dorëzuam, do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi” (Video)

Djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, u është drejtuar protestuesve të mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në fjalën e tij, Krasniqi bëri thirrje për unitet mes shqiptarëve dhe partive politike, duke kërkuar që dallimet të lihen anash dhe të vazhdohet kërkimi për drejtësi.

“Ju falënderoj nga zemra për mbështetjen e vazhdueshme. Jam para jush jo vetëm si biri i një njeriu që po përballet me këtë padrejtësi, por si biri i këtij populli. Lufta jonë ka qenë për liri, për dinjitet, luftë e një populli që për dekada ka qenë i përbuzur”, tha Krasniqi.

Ai deklaroi se, sipas tij, vendimi i Hagës nuk prek vetëm katër individët e dënuar, por edhe historinë dhe sakrificën e popullit të Kosovës.

“Ajo që ndodhi në Hagë nuk është çështje ndaj katër individëve. Ky aktgjykim prek një histori të madhe, prek sakrificën e çdo dëshmori, çdo veterani, çdo të burgosuri politik, çdo të zhdukuri dhe çdo fëmije që nuk arriti ta shijojë Kosovën e lirë”, tha ai.

Krasniqi theksoi se protestuesit nuk do të dorëzohen dhe se kërkesa për drejtësi do të vazhdojë.

“Sot nuk do të dorëzohemi. Nëse dorëzohemi sot, do të na gjykojë edhe e ardhmja. Do të na pyesin fëmijët tanë se çfarë bëtë kur historia iu vu në bankën e të akuzuarve, çfarë bëtë kur çlirimtarët u vunë në pikëpyetje. Përgjigjja jonë do të jetë e qartë: Nuk u dorëzuam”, deklaroi ai.

Në fund, Altin Krasniqi u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve dhe subjekteve politike për bashkim.

“Do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi. Prandaj, sot i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve dhe të gjitha partive politike t’i lëmë anash dallimet politike dhe të bashkohemi”, përfundoi Krasniqi.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë