“Qeveria bëri diferencim, turp i madh” – Gucati tregon se Bislimi vizitoi vetëm Rexhep Selimin në Hagë
Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka kritikuar Qeverinë Kurti për atë që ai e konsideron si një diferencim të padrejtë ndaj të burgosurve të ish-UÇK-së, duke përmendur vizitat e kryera në Hagë.
Gucati ka shprehur dëshpërim për faktin se nuk ka pasur një vizitë nga kryeministri Albin Kurti, por që zëvendësi i tij Besnik Bislimi ka vizitoi vetëm Rexhep Selimin dhe jo të tjerët në Hagë.
Sipas Gucatit, të vetmit zyrtarë që kanë qenë në vizitë me të gjithë janë kryetari i Parlamentit, Gluak Konjufca dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndërsa vizitat nga zyrtarët e tjerë kanë qenë vetëm për Rexhep Selimin.
“Shumë jam i dëshpëruar që nuk ishte, [një vizitë të kryeministrit në Hagë]. Cka është më e keqja zëvendëskryeministri vinte në vizitë tinëzare, që ne e kamë parë. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka qenë në vizitë të Rexha, edhe te ne nuk ka qenë kurrë, e ka vizituar vetëm atë. I vetmi njeri që ka qenë për të na vizituar neve ka qenë kryetari i parlamentit dhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu. Liburn Aliu ka qenë që e ka vizituar vetëm Rexhën, kanë ardhur në Hage dhe e kanë vizituar vetëm atë”, ka deklaruar Gucati.
Ai ka theksuar ky veprim është turpi më i madh i kësaj qeverie.
“Shumë, diferencim kudo më të madh kur një Qeveri e jotja pavarësisht bindjes politike ne jemi qytetarë të këtij vendit, nuk duhet të jesh për dikë nënë për dikë njerkë. Ne kemi qenë të burgosur si pjesëtarë të UÇK-së jo si pjesëtarë të partisë politike. Ky ka qenë diferencim si në kohën e ish-Jugosllavisë kur i kanë difrencu njerëzit nga shkolla nga fakultete, kështu jam ndier si i diferencuar nga Qeveria. Kjo ka qenë turpi më i madh i kësaj qeverie”, ka theksuar ai.
Gucati ka potencuar se kanë biseduar me Selimin për këtë çështje, por ka shtuar se nuk i kanë bërë kurrë presion në lidhje me vizitat.
“Ne kurrë nuk i kemi thënë diçka, vetëm kemi thënë se kjo qeveri që bën diferencime nuk vyen asgjë”, ka deklaruar Gucati.