Tragjike: Pjesëtari i FSK-së nga Drenica vdiq duke punuar në ndërtimtari pas orarit, dyshohet se ra nga kati 10
Një ngjarje e rëndë është shënuar dje në rrugën “Gucia” në Prishtinë, pasi një punëtor ndërtimi humbi jetën tragjikisht duke rënë nga një lartësi teksa po punonte në një objekt banesor, raporton GazetaDemos.
Viktima e kësaj ngjarje është ish-ushtari i UÇK-së, dhe njëherit zyrtari civil në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Liman Musliu.
I ndjeri dyshohet se po punonte në ndërtimtari pas orarit të punës në FSK, për të siguruar të ardhura më të mira financiare për familjen, atje ku fatkeqësisht gjeti vdekjen duke rënë nga kati i 10-të.
Musliu la pas vetës tre fëmijë, teksa për vdekjen e tij kanë reaguar një numër i madh i bashkëkuftëtarëve të tij, kolegëve, e të afërmit, duke e cilësuar si njërin prej njerëzve më punëtor e të përkushtuar ndaj atdheut.
Për vdekjen e tij ka njoftuar edhe FSK-ja, të cilët thanë se Musliu vdiq pas një aksidenti tragjik.
“Njoftojmë të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, se pas një aksidenti tragjik ka ndërruar jetë ish ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Trupave të Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, Liman Musliu, nga jeta ndahet në poziten zyrtar civil në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari u shpreh ngushëllime familjes, miqve, shokëve, bashkëluftëtarëve e bashkëpunëtorëve në FSK, duke vlerësuar lartë kontributin dhe shërbimin e tij ndaj atdheut , me nder dhe dinjitet në të gjitha periudhat !
Për varrimin dhe homazhet do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftimin e tyre.