Gazetari Krasniqi: Referimi skandaloz po shkatërron Feronikelin, lojtarët kanë më shumë frikë nga gjyqtarët se nga kundërshtarët!
Gazetari Valdrin Krasniqi ka reaguar ashpër ndaj referëve që ndajnë drejtësinë në ndeshjet e skuadrës Feronikeli ’74 nga Drenasi, duke i akuzuar për padrejtësi të vazhdueshme ndaj ekipit.
Krasniqi shprehet se ka dy vite që përcjell nga afër ndeshjet e ‘Niklit’ dhe pothuajse në çdo ndeshje ekipi është dëmtuar nga vendimet e gjyqtarëve.
“Vitin e kaluar, kur ‘Nikli’ garonte në Ligën e Parë, gjithashtu ishte dëmtuar rëndë nga referimi, ku u pa qartë që bëhej çdo përpjekje për ta penguar hyrjen e tij në Superligë,” shkruan Krasniqi. Ai thekson se për lojtarët e ‘Niklit’, frika nga vendimet e referëve është bërë më e madhe se frika nga kundërshtarët në fushë.
Krasniqi kërkon reagim nga FFK dhe mbikëqyrje nga institucionet për këtë padrejtësi të përsëritur, duke paralajmëruar se, nëse vazhdon ky referim skandaloz, as familjarët e lojtarëve nuk do të kenë më interes të jenë në tribuna./DrenicaOnline/