Kryetari Lladrovci: I përjetshëm kujtimi për të gjithë kontribuuesit ngjarjeve me rëndësi historike, 28 nëntorin e kombit tonë!

Me rastin e shënimit të festës së 28 Nëntorit, ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljes së parë publike të UÇK-së, është mbajtur seancë solmne në Sallën e Kulturës.

Para asamblistëve, Kryetari i Komunës së Drenasit mbajti fjalë rasti, ku ndër të tjerash theksoi se se në këtë seancë solemne, duam të përcjellim tërë nderimin tonë, për kontribuuesit e të arriturave të kombit tonë, për ditën më të çmuar të kombit, 28 Nëntorin.

Ky është fjalimi i plotë i kryetarit Lladrovci:

I nderuari kryesues i asamblesë, z. Halilaj,

I nderuar nënkryetar, z.Hasi

Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të UÇK-së,

Të nderuar drejtorë,

Të nderuar asamblistë të Kuvendit

Zonja e zotërinj,

Në këtë seancë solemne, duam të përcjellim tërë nderimin tonë, për kontribuuesit e të arriturave të kombit tonë, për ditën më të çmuar të kombit, 28 Nëntorin.

E filloi Skënderbeu me ardhjen ë Krujë dhe e mbaroi dalja e parë publike e UÇK-së. Ndërmjet këtyre datave janë edhe dy 28 nëntor ai i Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntori i Ismail Qemalit dhe tjetri 28 nëntor, është ditëlindja e Komandantit tonë legjendar, Adem Jasharit.

Të nderuar asamblist, ekzekutiv komunal
Ky 28 nëntor po na gjen si rrallë herë të lënduar, nga çlirimi e këndej.

Udhëheqësit tanë, drejtuesit politik të UÇK-së, janë në Hagë. Kjo përbën edhe plagën tonë, si institucione, sepse, ish presidenti, Hashim Thaçi, ish kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ish zëdhënësi, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë aty ku do të duhej të ishin kriminelët që planifikuan dhe zbatuan gjenocidin, varrezat masive dhe krimet kundër popullit tonë dhe qytetarëve të Kosovës.

Për fat të keq, me ta janë edhe Hysniu, Nasimi dhe Cali dhe qindra ftesa tjera të gatshme për çlirimtarët. Po, të gjithë këta janë padrejtësisht në vendet ku do të duhej të ishte e tërë garnitura aktuale e udhëheqjes së Serbisë, jo çlirimtarët.

Zonja e zotërinj, Po, është e vërtetë se liria ka emër, ka emër të çdo drejtuesi i cili me mish e mes shpirt, i ka qëndruar besnik kauzave nacionale dhe interesit madhor, çlirimit, shtetformimit dhe shtetndërtimit. Liria ka emrin e çdo kontribuuesi që lartëson lirinë e Kosovës, me punë, përkushtim dhe sakrificë.

Ky vit, për fat të keq na ndoqi edhe me pandeminë e shkaktuar nga virusi Covid 19, virus i cili komunës tonë deri tash, ia mori jetën dhjetëra qytetarëve, dhe shkaktoi qindra të infektuar.

Këtë vit, si komunë, patëm detyrim për ta shtuar ndihmën për qytetarët në nevojë. Kemi dhënë fonde, për pako ushqimore dhe higjienike, kemi dhënë bursa dhe përkrahje të tjera, të planifikuara për fushat e ndryshme.

Ky 28 nëntor na gjen, me institucione të nivelit qendror, me mungesa, pa pako për rimëkëmbje ekonomike, si rezultat i mungesës së bashkëpunimit pozitë dhe opozitë. Këtë bashkëpunim politik, ne si komunë kemi qenë model edhe për nivelin qendror.

Sot, si asnjë herë më parë, jemi të rrezikuar nga një armik i padukshëm, që imponon sjellje ndryshe, andaj të gjithëve ju bëj thirrje, të vijoni të keni kujdes, sepse, virusi vdekjeprurës, po merr jetë njerëzish.

Asamblist të nderuar, Në komunën tonë kemi dëshmuar se në rastet kur rrezikohet shëndeti i qytetarëve, kemi qenë bashkë, pozitë e opozitë.

Ky unitet, ka ndikuar edhe në renditjen për performancën më të mirë të komunës më të suksesshme në Kosovë, duke u renditur me vendin e parë në garën e 38 komunave. Kjo, për këtë 28 nëntor, na bën veçanërisht krenar.

Për këtë 28 nëntor, ashtu si rastet tjera kur ka data të shënuara, ne vendosim lule në Prekaz, në Sheshin Fehmi Lladrovci dhe në të gjitha vendvarrezat e dëshmorëve duke kujtuar më meritorët për lirinë e Kosovës. Ne shprehim nderim dhe zotohemi para më meritorëve për çlirimin tonë se po bëjmë maksimumin që mirëqenia e qytetarëve të jetë prioritet për të gjithë neve.

Në këtë 28 nëntor, mund të krenohemi se është në përfundim ndërtimi i rrugëve, kanalizimi dhe uji i pijshëm për të gjitha lokalitetet, si dhe shumë projekte tjera në shërbim të qytetarit.
Për këtë 28 nëntor, uroj të gjithë qytetarët e komunës tonë dhe shqiptarët kudo jetojnë, me përshëndetjet më të sinqerta, me rekomandimin për zbatimin e masave anti Covid, sepse, ky virus vret.

I përjetshëm është kujtimi për të gjithë kontribuuesit ngjarjeve me rëndësi historike, 28 nëntorin e kombit tonë!

Lavdi e përjetshme Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë!

Urime, gëzuar 28 Nëntori!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë