Komuna e Drenasit shënon 28 Nëntorin me homazhe dhe seancë solemne

Me rastin e shënimit të festës së 28 Nëntorit, ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljes së parë publike të UÇK-së, Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci së bashku më nënkryetarin Nazmi Hasi, drejtorët e drejtorive, asamblistë e zyrtarë tjerë komunal, kanë bërë homazhe pranë shtatoreve të heronjve në sheshin “Fehmi Lladrovci” në Drenas dhe në varrezat e dëshmorëve, ku kanë vënë buqeta me lule të freskëta.

Fillimisht janë bërë homazhe në sheshin e qytetit pranë shtatorëve Fehmi e Xhevë Lladrovci, Shaban, Hamëz e Ademi Jashari, Bedri Shala, Rasim Kiqina dhe Ilaz Kodra. Ndërsa, në bashkëpunim me Komunën e Skenderajit, Kryetari Lladrovci me staf komunal dhe Kryetari i Skenderajit, Bekim Jashari me stafin e tij, bashkë me OVL-UÇK, bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Morinë.

Për nder të kësaj dite, është bërë përurimi i restaurimit të lapidarit të heroit Ymer Alushani në vendin e tij të rënies në Llapushnik.

Kushtuar kësaj date të rëndësishme është mbajtur Seanca Solemne e Kuvendit në Sallën e Kulturës. Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci në fjalën e tij para asamblistëve tha se në këtë seancë solemne, duam të përcjellim tërë nderimin tonë, për kontribuuesit e të arriturave të kombit tonë, për ditën më të çmuar të kombit, 28 Nëntorin.Gjithashtu, kryetari Lladrovci theksoi se ky nëntor po na gjenë pa udhëhëqësit të cilët padrejtësisht po mbahen në Hagë.

“E filloi Skënderbeu me ardhjen ë Krujë dhe e mbaroi dalja e parë publike e UÇK-së. Ndërmjet këtyre datave janë edhe dy 28 nëntor ai i Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntori i Ismail Qemalit dhe tjetri 28 nëntor, është ditëlindja e Komandantit tonë legjendar, Adem Jasharit. Ky 28 nëntor po na gjen si rrallë herë të lënduar, nga çlirimi e këndej. Udhëheqësit tanë, drejtuesit politik të UÇK-së, janë në Hagë. Kjo përbën edhe plagën tonë, si institucione, sepse, ish presidenti, Hashim Thaçi, ish kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ish zëdhënësi, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë aty ku do të duhej të ishin kriminelët që planifikuan dhe zbatuan gjenocidin, varrezat masive dhe krimet kundër popullit tonë dhe qytetarëve të Kosovës”, ka thënë mes të tjerash kryetari Lladrovci.

Këto aktivitete në fund u përmbyllen me program kulturor artistik nga Shotë Galica, financuar nga DKRS.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë