Drenas/ Mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme apo të shtatën me radhë për këtë vit.

Mbledhjen e kryesoi kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Të pranishëm ishin të gjithë anëtarët e KKSB-së apo përfaqësuesit e tyre dhe përfaqësues nga LMT e KFOR-it Zviceran.
Pikat e rendit të ditës të cilat u diskutuan ishin:

1. Njoftim për gjendjen epidemiologjike dhe masat e ndërmarra në Komunën e Drenasit;
2. Të ndryshme.

Kryetari Lladrovci i njoftoi të pranishmit për masat e marra dhe për aktivizimin Shtabit Emergjent dhe Qendrës Emergjente Lokale dhe se Komuna është e gatshme që nëse përkeqësohet gjendja nga pandemia, rrjedhimisht nëse izolohet vendi, që t’i ndihmojnë familjet e prekura nga virusi dhe ka shtuar se vendimet e Qeverisë do të zbatohen në përpikëri. Kryetari Lladrovci i njoftoi edhe për shqetësimet e ngritura nga ana e tij në mbledhjen e fundit të Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe falënderoi Policinë e Drenasit, FSK-në dhe KFOR-in për bashkëpunimin e deritanishëm dhe gatishmërinë për bashkëpunim dhe ndihmesë edhe në të ardhmen.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arsim Haxhiu, i ka njoftuar anëtarët e KKSB-së me statistikat e të infektuarve. Ai ka shtuar se që nga Marsi i këtij viti deri me datën 10.11.2020 në Drenas janë prekur 548, prej tyre janë 105 raste aktive dhe 413 të tjerë janë shëruar. Haxhiu ka shtuar se ekipet mjekësore, janë të gatshme për të zbatuar rekomandimet që dalin nga niveli qendror. Gjithashtu tha se edhe një ekip nga QKMF-ja e Drenasit ndodhet edhe në aeroport.

Drejtori i Inspeksionit Milaim Hajdari i njoftoi të pranishmit për punën e kësaj drejtorie në respektim të zbatimit të rekomandimeve të IKSHP-së dhe Ministrisë së shëndetësisë si për statistikat e inspektimeve institucioneve shkollore dhe publike. Komuna jonë është ndër komunat e pakta që lëshon aktvendim për izolim dhe përfundim të izolimit për personat e infektuar me COVID-19, tha drejtori Hajdari.

Drejtori i Drejtorisë Komunale për Arsim, Muhamet Gjoka, paraqiti një përmbledhje të situatës aktuale në shkollat e komunës sonë dhe punën që po bëhet në menaxhim të situatës. Për momentin vetëm një shkollë (Sankoc) dhe një klasë në një shkollë tjetër janë duke zhvilluar mësim online. Ai theksoi se ka një bashkëpunim të mirë të kësaj drejtorie me IKSHP-në për testimin e mësimdhënësve dhe nxënësve të dyshuar për infektim të mundshëm me virusin COVID-19.

Për të ndryshme u ngritën disa çështje të cilat do të diskutohen në mbledhjen e ardhshme e cila do të mbahet muajin e ardhshëm si çështje në lidhje me qentë endacake dhe dukurinë e përhapjes së përdorimit të lëndëve narkotike në disa shkolla.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë