Përkujtohen të rënët e Forcave të Armatosura Britanike në Kosovë, ushtarëve të UÇK-së dhe civilë në Arllat

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci së bashku me kabinetin e tij dhe deputetin e Kuvendit të Kosovës, Ferat Shala, kanë bërë homazhe dhe kanë venë buqeta me lule të freskëta pranë memorialit të vendosur në Arllat të Drenasit.

Ky përkujtim, është bërë në shenjë solidarizimi me Ambasadën Britanike në Kosovë, e cila sot ka përkujtuar 14 anëtarët e Forcave të Armatosura Britanike që humbën jetën në shërbim me Forcën e Kosovës të udhëhequr nga NATO.

Më 21 Qershor të vitit 1999, gjatë një aksioni për të pastruar nga minat hapësirën afër objektit të shkollës “Abedin Bujupi” në Arllat, kishin humbur jetën tragjikisht dy ushtar britanik, Lt Gareth Evans dhe SSGT Balaram Rai si dhe dy ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Gashi dhe Osman Krasniqi dhe një civil Milazim Gashi.

Memoriali në Arllat është vendosur nga oficerët dhe pjesëtarët e Regjimentit 36 të Inxhinierëve nga Forcat e Armatosura Britanike në Kosovë në nderim të të rënëve.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë