Rrëfimet e banorëve që i lëshuan Thaçit e Veselit shtëpinë në Shqipëri

Dy dekada pas luftës në Kosovë, ndërsa ish-drejtuesit e UÇK’së ndodhen në Hagë, gjurmët tyre janë të paprekura në bazat ku ata strehoheshin, në shtëpitë shqiptare në zonën e Hasit. Veshjet ushtarake që ata përdornin, fishekë plumbash, tunele që shërbenin si depo armatimesh, janë aty.

Por asnjë dëshmi nuk vjen prej andej që konfirmon akuzat që tregojnë mbi ish-gjeneralët.

Vlaheni është 40 kilometra larg qytetit të Kukësit dhe 3 kilometra larg kufirit me Kosovën. Në katin e tretë ndodhen ende veshjet ushtarake të luftëtarëve të UCK, veshjet dhe një arkë fishekësh.

Një shtëpi trekatëshe ka qenë një nga bazat e UÇK për gati 15 muaj, aty vinin dhe ikin, Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Banorët që i pritën e u kujdesën për ta rrëfejnë për ABC’në se si transportonin armët e municionet me kuaj për në kufi deri në pikën ku të tjerë luftëtarë prisnin furnizimet.

Dy vëllezërit  e familjes Goca që jetojnë në këtë shtëpi  rikthejnë në këtë moment delikat gjyqesh që janë hapur për UCK, jetën me ish luftëtarët në ato muaj lufte.

“Erdhën këta të dy këtu, thanë a ka mundësi me na lëshuar një vend, se nuk po kemi ku me ndenjur. Edhe ramë dakord, ua lëshova 5 dhoma në katin e parë, ndenjën 5 muaj. Rrija me ata. U zbërtheja automatikët, mitralozë” tha ata.

Mendohet se nga këto shtëpi të fshatit, Vlahen nga marsi i ‘98 deri në qershor ‘99 kanë kaluar rreth 5 mijë ushtarë për në front.

Banorët kanë qenë dëshmitarë të çdo aktiviteti në këtë zonë dhe mohojnë të ketë pasur burgje apo dhoma torturash për robër lufte, ndryshe nga pretendimet e hershme që janë ngritur herët nga prokurorë të Beogradit  e janë vënë në lëvizje tani.

“Jo, jo! Familje me të mirë nuk ke këtu në Has. Nuk ka mbajt asnjë” tha një banor për ABC-në.

Fshati fqinj me Vlahen, Nikolic, 5 km me tutje ka shërbyer dhe ai si bazë ushtarake e UCK. Aty luftëtarët janë strehuar për 3 muaj në shtëpinë e Sali Jakut.

61 vjeçarja  që i ka shërbyer Hashim Thacit tregon tre ndërtesat ku qëndronin të rinjtë e luftës.

“Ku kemi mundur, ku kishim vend i linim. I strehonim. 15 burra. Kanë hequr keq, nuk kishin pretendime, edhe në tokë me fjetur, vetëm të çlironin vendin” tha e moshuara.

Nëna tregon se predhat serbe i kanë lënë invalide vajzën, ndërsa përballë akuzave që janë ngritur ndaj ish protagonisteve të UÇK ajo beson vetëm atë që ka parë vetë e thotë se nuk është penduar asnjëherë për shërbimet që u ka bërë djemve.

“Prapë se prapë nuk jam e kënaqur, nuk kam bërë sa duhet për ata njerëz” tha ajo./ Abcnews.al

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë