Kreu i Komandës Rajonale të KFOR-it, përgëzon Lladrovcin për vendin e parë në përformancë

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur në takim gjatë ditës së sotme, Kolonel Eric Riley, Komandant i Komandës Rajonale të KFOR-it-Sektori Lindje, Kolonel, Robert Eyer, Komandant i Kontingjentit kombetar të Zvicrës, dhe togerin Prejean, komandant i Ekipit Monitorues-Ndërlidhës LMT K9 të KFOR-it Zviceran, me të cilët ka bashkëbiseduar lidhur me gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend, menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia globale Covid-19, ndikimin e virusit në jetën e qytetarëve, për projektet komunale dhe sfidat e qeverisë lokale.

Kryetari Lladrovci ka falënderuar Kolonel Riley për takimin dhe ka njoftuar lidhur me menaxhimin e situatës së pandemisë në Drenas, për realizimin e projekteve që ka bërë gjatë qeverisjes lokale për të mirën e qytetarëve, ka theksuar realizimin e projektit për zgjerimin, pastrimin dhe rregullimin e shtratit të lumit “Drenica” dhe degëzimet e tij në mbi 50 kilometra, rregullimin e kolektorëve përgjatë lumit ku do të përfshihen të gjitha vendbanimet, rregullimin e mbi 225 kilometra rrjet të kanalizimit, asfaltimin e të gjitha rrugëve e rrugicave, ndërtimi i 27 urave, ndërtimi i trafo-stacionit në Drenas, elektrifikimi me shtylla të reja dhe trafo të reja në gjitha vendbanimet dhe rregullimi i rrjetit elektrik si dhe ndriçimi në disa fshatra, ndërtimi i rrugës katër korsi Skenderaj-Gllobar dhe shumë projekte të tjera që kanë ndikuar drejtpërdrejtë në të mirën e qytetarëve të Drenasit.

“Si komuna më e suksesshme në Kosovë, Drenasi ka kapacitete më të mëdha për zhvillimin ekonomik, arsimor, kulturore, sportiv dhe fusha tjera, duke përdorur të gjithë mekanizmat demokratik si transparencën, llogaridhënien, barazinë dhe zbatimin e ligjit. Drenasi dhe Kosova është e bekuar nga miqësia e shteteve dhe popujve miq, duke na qëndruar pranë në sfidat dhe të arriturat e qytetarëve tanë”, ka thënë kryetari Lladrovci.

Kolonel Eric Riley, ka falënderuar kryetarin Lladrovci për takimin dhe ka përgëzuar për marrjen e çmimit të parë në performancën komunale dhe ka përgëzuar po ashtu për punët e kryera duke shtuar se ka dëgjuar për punën e tij të mirë në shërbim të qytetarëve. Kolonel Riely, ka shtuar se bashkëpunimi për të mirën e vendit në sigurinë publike dhe realizimin e projekteve do të vazhdojnë edhe ne të ardhmen.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë