Vdes gruaja nga Kosova që pushtoi botën me dhimbjen e saj në kohë të luftës kur ju vra vëllau

Ka ndërruar jetë sot, Ryvije Elshani – Dina, gruaja, fotografia e së cilës para 30 vjetësh pushtoi botën me dhimbjen e saj.

Ajo shfaqej pranë kufomës së heroit Nesimi Elshani, vëllait të saj të vrarë nga forcat serbe, si pasojë e pjesëmarrjes në protestë më 1990, ku kërkonin të drejtat themelore.

Hasan Dina, i biri i së ndjerës, thotë se pavarësisht pikëllimit që ua solli kjo ngjarje, janë krenarë me nënën e tyre.

”Jemi shumë të pikëlluar nga kjo ngjarje që na ka ndodhur si familje”.

”Por, jemi shumë krenarë, që patëm një nënë të fortë e të dinjitetshme, nënë e cila diti të na edukoi e mësoi për të jetuar dhe qëndruar siç duhet”.

”Nëna jonë ka qenë motër e dëshmorit, sot heroit Nesimi Elshani, që u vra më 27 janar të vitit 1990 në demonstratat e asaj kohe në fshatin Brestovc në Rahovec”.

Ai thotë se krimi që shkaktuan forcat serbe, ndikoi përgjithmonë në shëndetin e nënës së tyre.

”Nënës tonë, që nga ajo ditë, për shkak të vrasjes së vëllait, ka shkuar gjithmonë duke iu keqësuar gjendja shëndetësore”.

”Për shkak të vrasjes makabre të pushtetit të atëhershëm sllavist”.

”Deri sot kur ndërroi jetë nëna jonë, dua të them që ka qenë një nënë që ka ditë të mbahet si për vdekjen e vëllaut, si për të gjitha ato që ka përjetuar si motër, si nënë si bijë si në të gjitha aspektet”.

Kjo fotografi, pushtoi botën me dhembshurinë e saj, ku dhe u shndërrua në skulpturë në Francë.

Megjithatë i biri i Ryvijes rrëfen se si kishte ndodhur ngjarja ku në ato momente do shkrepej edhe fotografia, njofton Klan Kosova.

”Në ditën kritike kur është vrarë daja, kjo fotografi është shkrepur në dhomën ku ka qenë kufoma e dajës”.

”Nuk kemi menduar – që do të shkrepet një fotografi e do të bëhet ajo jehonë që e ka tash”.

”Meqenëse fotografi tragjike, ne na ka nderu me përhapjen e gjendjes së popullit kosovar që ka qenë në atë kohë, që jemi vrarë pa asnjë preteksti kur jemi çu në protesta për të kërkuar të drejtat elementare”.

”Sa i përket skulpturës, e kam parë në mjetet e informimit, kam dëshirë të shkojë ta vizitojë atë skulpturë me gjithë ndjenjat që kam për dajën tonë dëshmor, hero i kombit shqiptar por varet nga kushtet dhe situatën në të cilën gjendemi sot”

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë