Lushtaku: Ta cilësosh incident masakrën e Reçakut, sikur t’i masakrosh ata dëshmorë për së dyti

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se cilësimi i masakrës së Reçakut si incident, është sikur t’i masakrosh ata dëshmorë për së dyti.

Për këtë, Lushtaku ka thënë se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës duhet të zgjohet nga gjumi i thellë dimëror dhe të marrë masa serioze ndaj kësaj deklarate.

“Ta cilësosh incident masakrën e Reçakut, është sikur t’i masakrosh ata dëshmorë për së dyti.
Kush do ta mendonte që 21 vjet pas, cilësime të tilla do të vijnë jo nga Akademia e Shkencave të Serbisë, por nga vetë Akademia jonë, më saktë nga anëtari i saj që fushëveprimin e saj të lirë e bën në saje të gjakut të derdhur të po atyre dëshmorëve.
Masakra e Reçakut e bëri botën ta kthejë kokën nga Kosova, njëherit i parapriu edhe fushatës së bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe. Ambasadori William Walker ishte i pari që e cilësoi si krim kundër njerëzimit dhe theksoi se ajo çfarë ka ndodhur në Reçak thellësisht e ndryshoi çështjen e Kosovës, nga të qenët në një provincë të neglizhuar në atë që është sot, një shtet i pavarur.
Si përfaqësues i zgjedhur nga populli e kam shumë të vështirë ta përpij këtë skandal, sepse edhe injoranti më i madh e di të vërtetën e saj. Kjo çështje nuk mund të kalohet me lehtësi dhe nën arsyetimin e ndonjë lëshimi teknik sepse vihet në pyetje historia e Kosovës dhe ajo që do të mësojnë gjeneratat e reja, e ata nuk do të na falin këtë skandal të tmerrshëm. Kur e kaluara harrohet, rrezikon të përsëritet! Po ajo që me vetëdije fshihet dhe shtrembërohet?
Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës duhet të zgjohet nga gjumi i thellë dimëror dhe të marrë masa serioze ndaj këtij anëtari – armik të shqiptarisë dhe historisë së saj.
Ndërsa, për LDK-në do ta parashtroja një pyetje: Nëse votimi kundër vendimeve të partisë dikujt i kushtoi me shkarkim në hierarkinë e saj dhe përjashtim, po atij që me vetëdije e shtrembëron të vërtetën historike të shtetit, cili është çmimi i saj?
Unë si përfaqësues i popullit, në seancën e rradhës do ta ngre këtë çështje në Kuvendin e Kosovës, sepse nuk mund të lejoj që të shkelet gjaku i atyre dëshmorëve dhe të rihapen plagët dhe dhimbjet e familjarëve të tyre.
Reçaku është referencë për shqiptari”, shkruan Lushtaku në Facebook.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë